Shifrat zyrtare tregojnë për nivele të ulëta të shkëmbimeve tregtare me Kosovën, pavarësisht disa mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Sipas INSTAT, eksportet e Shqipërisë me Kosovën kanë pësuar rënie në 2013 me 6%, ndërsa më e fortë rënia është në 2016 me 20%. Në nivele pak më të qëndrueshme, por të ulta është edhe importi.
Në këmbim të marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë, bizneset e Kosovës preferojnë më shumë ato serbe, ndërsa bizneset shqiptare ato greke.
“Ekziston një obsesion psikologjik që bizneset shqiptare preferojnë ato greke dhe kosovarët paradoksalisht ato serbe. Duhet të ketë më shumë takim mes bizneseve se qeverive”, ka deklaruar Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit të Kosovës.
Por vetë bizneset ankohen sa i përket problemeve me procedurat doganore. “Ka një treg të monopolizuar. Duhet të paguash në doganë 130 mijë lekë për një mall 1 mln lekë. Pastaj janë barrierat jotarifore, certifikatat fitosanitare, etj”, ka deklaruar Alban Zusi.
“Lehtësia që mund t’i japim produktit është përmes produktit laboratorik, që testet laboratorike të jenë të ngjashme, por këtu ka një problem, laboratori ynë është i certifikuar, ai i Kosovës jo”, thotë ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Për zëvendës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Muniz, të vetme, Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje të vogla por të bashkuara ato mund të jenë më të forta.
Për të thithur më shumë investime amerikane dy vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe për Shqipërinë kryefjala është reforma në drejtësi.
https://www.youtube.com/watch?v=4jOi0S1kD_Y