Një votë, një post: Mbahu Kosovë!

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, tani e LDK-së, Alma Lama, duket ta ketë kalkuluar shumë mirë votën për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Në këmbim të votës së saj, KTV-ja ka mësuar se ajo ka kërkuar post të rëndësishëm diplomatik dhe atë duke e zgjedhur vendin se ku dëshiron ta përfaqësojë Kosovën si ambasadore.
Lama madje kërkesën e saj e ka arsyetuar me faktin se në Kosovë ndjehet e rrezikuar nga ekstremistët fetarë, të cilët shpeshherë e kishin kërcënuar publikisht.

Por, para se të zgjidhej Hashim Thaçi president, Alma Lama kryeministrin atëkohë e quante të korruptuar dhe kriminel, derisa zotohej se nuk do t’ia jepte votën.
E kontaktuar nga KTV-ja, Lama e cila është propozuar nga ministri Enver Hoxhaj për ambasadore në Itali, mohon se në njëfarë mënyre e “shiti” votën e saj për pozitën e ambasadores.
Pasi nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike, në komunikimin nëpërmjet Facebook-ut, Lama fillimisht nuk e ka mohuar se ka kërkuar që të jetë ambasadore!
“Nëse them po dhe ju e publikoni, grupet ekstremiste gëzohen, sulmojnë edhe të tjerë etj. etj. Prandaj No koment”…
Pas raportimit të ‘Kohës Ditore’ për propozimin që Alma Lama të shkojë ambasadore në Itali, kanë reaguar edhe ish-bashkëpartiakët e saj.
Albulena Haxhiu ka thënë se kësi lloj deputetësh po e shesin Kosovën për një vend pune.
“Tashmë u dëshmua ajo për të cilën thoshim, se votat ndaj Hashim Thaçit kishin një çmim. Këto poste ishin çmimet për votat dhe mundësimin e kuorumit që e bënë Hashim Thaçin president, përkundër dëmeve që i ka shkaktuar Kosovës. Megjithatë, ai mbetet i papranueshëm si president. Kjo qeveri duhet të ndalë shfrytëzimin e pozitës që shpërblen me poste publike të gjithë ata që mundësojnë jetëgjatësinë e saj”, ka thënë Albulena Haxhiu, deputete e VV-së.
Qeveria ka propozuar dy emrat e radhës për ambasadorë të Kosovës, të cilët kanë prejardhje partiake, atë të Alma Lamës në Itali dhe Hajdin Abazit, nga radhët e PDK-së, për ambasador në Suedi.

Artikulli paraprakVetëvendosje uron botën myslimane për Bajram
Artikulli vijuesA është nesër Bajram? – Prononcohet Imami Bekir Halimi (video)