Në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit tre atentatorë vetëvrasës kanë qëlluar përreth dhe kanë hedhur më pas veten në erë. Flitet për 36 vetë që kanë humbur jetën dhe 150 të plagosur.
Pas sulmeve terroriste në aeroportin e Stambollit politikanë nga e gjithë bota shprehen të tronditur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe tha se është e tronditur “nga këto akte të reja dhe tinzare të terrorizmit.” Presidenti turk, Erdogan e dënoi atentatin dhe i bëri thirrje botës për veprim të bashkuar kundër kërcënimit të terrorit. Ai e drejtoi apelin e tij sidomos nga shtetet perëndimore. “Shpresoj që atentati në aeroportin e Stambollit të jetë një pikë kthese në të gjithë botën, sidomos për shtetet perëndimore, për luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste.” Sulmi nuk iu drejtua vetëm 79 milionë turqve, por njerëzve në të gjithë globin, ka thënë Erdogan.
Disa atentatorë vetëvrasës me sulmet e tyre shkaktuan gjakderdhje në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, aty ku kalojnë pasagjerë ndërkombëtarë. Policët hapën zjarr, kur atentatorët u afruan në pikat e kontrollit në terminalin ndërkombëtar, bëjnë të ditur autoritetet. Tre atentatorët pastaj hodhën veten në erë. Kryeministri turk, Binali Yildirim gjatë vizitës në vendngjarje u shpreh se atentati u ka marrë jetën 36 vetënve. Ende nuk dihet nacionaliteti i viktimave.
Lëvizja e pasagjerëve në aeroport është ndërprerë. Aeroporti Atatürk ndodhet në pjesën europiane të Stambollit dhe është një qendër shumë e rëndësishme lëvizjeje për pasagjerë nga e gjithë bota.