Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, mund të emërojë ish senatorin anti-rus Dan Coats, në krye të Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, shkruan “AP”
Nëse konfirmohet, emërimi i Coats do të qetësojë ata që kanë frikë se Trump ka për qëllim ndryshime të rëndësishme në sistemin e inteligjencës në vend.
Senati amerikan duhet që të konfirmojë emërimin e Coats i cili ishte anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulim deri vitin e kaluar. Në pozitën e personit të parë të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, Coats do të trashëgojë gjeneralin në pension të Forcave Ajrore, James Clapper.
Coats është veteran 73-vjeçar në Capitol Hill, i cili ishte tetë vjet në Dhomën e Përfaqësuesve para se të zgjidhej në vitin 1989 në Senat. Në Senat, ai kaloi dhjetë vjet, pastaj gjatë administratës së George W. Bush ishte ambasador i SHBA në Gjermani, ndërsa më vonë u bashkua me firmën lobuese “King & amp; Spalding”.
Coats është një kritik i mprehtë i Rusisë dhe ka kërkuar nga administrata në largim e presidentit, Barack Obama, që ta dënojë Moskën për shkak të aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Si SHBA-ja ashtu dhe BE vendosën sanksione ekonomike ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët në lindje të Ukrainës. Kur Moska u përgjigj ndaj sanksioneve të Shtëpisë së Bardhë, Coats ishte në mesin e anëtarëve të Kongresit të cilëve ju ndalua udhëtimi në Rusi. Coats e shpalli veten të nderuar nga kjo ndalesë, shkruan “The Guardian”.
Nëse Coats e merr detyrën e re, nën kontrollin e tij do të jenë të gjithë 16 agjencitë e zbulimit në Shtetet e Bashkuara.