Zyrtare: Devollët importuan grurë për kafshë dhe e shitën miell për njerëz

Një komision hetimor i Kuvendit të Kosovës, i cili po hetonte aferën e grurit dhe mënyrën e importimit të tij nga Korporata Devolli, ka konfirmuar shkrimet e Gazetës Express, se gruri i importuar ishte i dedikuar për kafshë, por i njëjti është bluar dhe është shitur për konsum të njerëzve. Për ketë çështje Express ka biseduar me Adem Salihajn, pjesë e këtij komisioni.
 
Hetimet e Komisionit parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor për cilësinë e gurit i cili importohet dhe prodhohet në Kosovë kanë faktuar se korporata më e madhe në vend, Devolli, në tryezat tona deri me tash ka servuar miell që në vend, përmes doganave, ka hyrë si grurë për kafshë.
 
Gazeta Express ka qenë e para dhe e vetmja e cila ka raportuar për këtë ‘krim’ që po ua shkakton qytetarëve tanë, kjo korporatë e cila ka arritur ta kapë çdo pushtet, parti dhe grup të madh interesi në vend. Por tashmë, zbulimet e gazetës po i dëshmon edhe komisioni parlamentar.
 
Për rezultatet e këtij hulumtimi ka treguar anëtari i këtij komisioni, Adem Salihaj. Sipas tij, hulumtimi tregon se në Kosovë deri me tash është importuar grurë për kafshë i cili më pas është përpunuar dhe shndërruar në miell për njerëz.
 
“Komisioni ka formuar një grup punës i cili ka kryer hulumtime të gjata dhe ka vizituar Doganat e Kosovës, institutin bujqësorë në Pejë, etj., dhe disa ndërmarrje private dhe kompani importuese, siç është M&Sillosi në Xerxë, dhe kemi ardhur në përfundim se është importuar edhe grurë për kafshë, i cili ka fakte se është përpunuar dhe shndërruar në miell, pra ushqim për njerëz”, ka treguar Saliaj për Gazetën Express, duke pohuar se kjo nuk është se shkakton dëme shëndetësore, por as nuk duhej të lejohej të ndodhte.
 
E përgjegjësinë për këtë, sipas Salihut, e kanë institucionet kompetente, në veçanti AVUK që ka lejuar dhe lejon që në Kosovë të hyjë çfarëdo ushqimi, madje edhe ushqim i kafshëve.
 
“Nuk është në rregull, e as nuk lejohet diçka e tillë. Institucionet përkatëse të Kosovës, siç është AVUK, nuk ka qenë në nivelin e detyrës dhe nuk e kontrollojnë siç duhet as ushqimin që importohet e as që prodhohet në Kosovë, dhe si pasoje kemi lloje-lloj ushqimesh, lloj-lloj materiesh në ushqime dhe si pasojë edhe njerëzit hanë miell të kafshëve”, ka deklaruar tutje Adem Salihu.
 
Ai tregon se, po ashtu, komisioni ka hartuar draft raportin i cili do ti paraqitet kuvendit me konstatime dhe rekomandime, dhe pret se ky institucion të ndërmarrë diçka.
 
“Kuvendi duhet të ndërmarrë, dhe ta obligojë qeverinë që të veprojë dhe ta kontrollojë cilësinë e ushqimit në Kosovë”, tha deputeti i LDK’së.
 
Ndryshe, Express që nga shkurti i këtij viti, në një seri shkrimesh ka raportuar për kapjen e shtetit nga korporata Devolli, përfshirë edhe grurin e kafshëve i cili për qytetarët e Kosovës është shitur si miell për ushqim.
 
Këto raportime Gezetës Express dhe redaktorit të kësaj gazete, Berat Buzhala, i kushtuan me një fushatë të egër dhe ofenduese që u zhvillua nga kompania në fjalë. E të heshtur deri më sot kanë qëndruar gjitha institucionet dhe partitë politike./expres/.kohaislame
 
Artikulli paraprakLunacek: Për vizat, duhet të na bindni që nuk ikni nga Kosova
Artikulli vijuesThaçi intervenoi te Erdogani për të liruar dy zyrtarët e arrestuar të AKI-së