Turqi: Grushti i shtetit, pezullohen dënimet

Një gjykatë turke pezulloi dënimet e disa figurave të larta ushtarake, të akuzuara për organizimin e një grushti shteti ndaj qeverisë së kryeministrit aktual, Recep Tayyip Erdogan.

Gjenerali në pension, Cetin Dogan, i akuzuar si organizatori kryesor i këtij komploti, ishte dënuar më parë me 20 vjet heqje lirie.

Më shumë se 300 drejtues të ushtrisë u burgosën një vit më parë pas një procesi të bujshëm gjyqësor, i cili i konsideroi ata si përgjegjës për organizimin e një puçi të mbetur në tentativë.

Sipas akuzës, ushtarakët ishin të revoltuar nga disa reforma që vendosi t’i bënte Erdogan.

Përveç pezullimit të dënimeve deri në rishqyrtimin e provave për shumicën e të pandehurve, gjykata urdhëroi lirimin e 100 të akuzuarve e dërgimin e dosjeve të tyre për rigjykim.

Procesi për këtë grusht shteti është i ndryshëm me skandalin e njohur me emrin “Ergenekon”, një tjetër proces paralel që përfshin disa qindra ushtarakë, të akuzuar gjithashtu për komplot për puç.

Një vend që i ka rezervuar ushtrisë fuqi të posaçme në kushtetutë, Turqia ka njohur katër grushte të suksesshme shteti midis viteve 1960-1997. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakEgjipt: Morsi pritet të del para gjyqit në nëntor
Artikulli vijuesAeroporti i Shkupit, me hapesire lutjesh per besimtaret