Një tjetër tragjedi e dyfishtë në det, që përfshin emigrantët. Të paktën 34 persona humbën jetën, si pasojë e mbytjes së dy mjeteve lundruese në dy incidente të veçanta.
Bilanci makabër bëhet publik nga autoritetet turke, që thanë se gjetën trupat e viktimave, mes të cilëve dhe fëmijë, në dy anë të largëta të bregut. 24 trupa u gjetën pranë brigjeve të zonës Aivalik dhe 10 të tjerë në detin e zonës Dikili.
Mësohet se mjetet lundruese, me të cilat udhëtonin emigrantët, u mbytën gjatë natës për shkak të motit të keq. Autoritetet turke bënë me dije se, nuk është e qartë sa njerëz ishin në bordin e dy gomoneve, që nuk ia dolën të kalonin drejt Greqisë, prandaj nuk dihet as numri i personave që kanë humbur.
Sipas policisë turke, 10 persona u shpëtuan nga të dy incidentet dhe operacionet e kërkimit vazhdojnë ende. Ndërkohë, larg detit, nga kampi i refugjatëve në provicën turke Batman vjen lajmi i rëndë i vdekjes së një fëmije 4-muajshe në çadër nga i ftohti.
Sipas agjencisë turke “Cihan”, në strehën e emergjencës ku familja siriane jetonte, nuk kishte ngrohje dhe as elektricitet, ndaj dhe foshnja nuk ka mundur të mbijetojë. Familjarët e foshnjes thanë se ia dolën t’i shpëtojnë vdekjes nga plumbat në Siri dhe nuk mendonin kurrë se do të humbisnin fëmijët nga i ftohti në Turqi.
Organizatat ndërkombëtare të ndihmës humanitare ngrenë alarmin se moti i ftohtë, i cili nuk ia ka dalë që të frenojë fluksin e emigrantëve, po krijon shumë probleme në kampet e mbipopulluara të refugjatëve, të cilët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.