TURQIA BËHET PJESË E GARËS HAPËSINORE

Teknologjia e transistorëve, zhvilluar gjatë një projekti satelitor të Nënsekretarisë së Industrisë së Mbrojtjes, projekt ky që gëzon gjithashtu mbështetjen e Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK), do të përdoret në satelitët që do të prodhohen në Turqi.

Bëhet e ditur se falë mundësisë së përdorimit për një kohë më të gjatë në hapësirë të qarqeve elektronike të integruara me shpejtësi shumë të lartë, që janë prodhuar me materiale të sofistikuara, satelitët e komunikacionit do të punojnë për një kohë të gjatë me kapacitet më të lartë dhe ky zhvillim do të sjellë me vete një avantazh të rëndësishëm në koston e satelitëve.

Nëpërmjet marrëveshjes së arritur ndërmjet Qendrës së Kërkimeve Nanoteknologjike të Universitetit Bilkent (NANOTAM) dhe ASELSAN-it për “Investime në Teknologji të Avancuara për Prodhimin e Transistorëve me Nitrogalium dhe Qarqeve të Integruara”, kjo teknologji kritike, që është monopol i shumë pak institucioneve në shkallë botërore, tashmë do të prodhohet edhe në Turqi.

Prodhimi me synime tregtare i Teknologjisë së Transistorëve GaN do të vihet në jetë edhe në Turqi si rezultat i investimit të përbashkët të Qendrës së Kërkimeve Nanoteknologjike të Universitetit Bilkent dhe ASELSAN-it.

Bazuar në marrëveshjen e sipërcituar, zyra për shtyp e ASELSAN-it njofton se procesi i ndërtimit dhe perfeksionimit të infrastrukturës parashikohet të përfundojë në vitin 2014, ndërsa përdorimi i prodhimeve të para pritet të fillojë në vitin 2016.

Artikulli paraprakRritet prodhimi i opiumit në Burma
Artikulli vijuesTë paktën 25 të vdekur nga shpërthimi i një zjarri në Arabinë Saudite