Turqia i përgjigjet Merkelit: Dënimi i puçistëve, vetëm sipas ligjit

0
681

“Turqia nuk do të veprojë as për hakmarrje e as në bazë të emocioneve”. Kështu është shprehur Turqia, pas reagimit alarmues të BE­-së, lidhur me mundësinë e kthimit të dënimit me vdekje nga ana e shtetit turk.

“Për fat të keq si pasojë e kësaj tentative për grusht shteti deri më tani kemi 208 dëshmorë, nga të cilët 60 efektivë policie, 3 ushtarë dhe 145 civilë”­ ka thënë kryeministri turk, Binali Yıldırım. Cituar nga Daily Sabah, ai ka thënë se “Turqia do të veproje për dënimin e atyre qe tentuan grushtin e shtetit vetëm duke respektuar ligjin”.

Ndërkohë, autoritetet turke kanë arrestuar 103 gjeneralë dhe admiralë pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet më 15 korrik, ka bërë të ditur media shtetërore të hënën. Mbi 6,000 veta janë arrestuar në total, ndërsa presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se “spastrimi” do të vazhdojë. Afro 8,000 policë janë pezulluar nga puna po ashtu. Partia Popullore Republikane në opozitë ka thënë se përgjigjja e autoriteteve ndaj përpjekjes për grushtshtet duhet të bëhet në përputhje me sundimin e ligjt. Kjo parti ka thënë se të dyshuarit për puç duhet të gjykohen nga gjykatat dhe se ushtria nuk duhet të portretizohet si armike.