Turqia reagon për ekzekutimin e Muhammed Kamaruzzaman

Ministria e Jashtme e Turqisë ka reaguar duke shprehur keqardhjen për ekzekutimin me varje të Muhammed Kamaruzzaman, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Jamaat-e-Islami (Bashkësia Islame) në Bangladesh, i cila u dënua me vdekje me akuzat për krime lufte, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Ministria e Jashtme turke në një deklaratë të publikuar të dielën thekson se kanë “mësuar me trishtim këtë lajm”, duke vazhduar më tej se “Turqia shpresonte për një metodë tjetër që të mund të gjendet në këtë shtet të Azisë për të prodhuar konsensusin shoqëror në vend të përdorimit të dënimeve me vdekje”.
 
Duke kujtuar se Turqia e ka hequr dënimin me vdekje në vitin 2004, deklarata vazhdoi më tej se: “Turqia i bëri thirrje autoriteteve të Bangladeshit për të mos kryer ekzekutimin dhe gjithashtu për të pezulluar dënimet e tjera të ngjashme me vdekje, kjo për të mbështetur kohezionin social dhe paqen në Bangladesh. Si një vend që e ka hequr dënimin me vdekje, Turqia ka ngritur shqetësim lidhur me zbatimin e këtij dënimi, që mund të çojë në tensione të reja në shoqërinë e këtij vendi.”
 
Muhammed  Kamaruzzaman, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Jamaat-e-Islami (Bashkësia Islame) në Bangladesh u ekzekutua me varje në një burg qendror në Dhaka, kryeqytetin e Bangladeshit, një ditë më parë pas një vendimi të Gjykatës Supreme të këtij shteti që e shpallte fajtor për krime lufte, me pretendimin se janë kryer gjatë luftës për pavarësi më 1971 në Bangladesh.
 
Kamaruzzaman u dënua me vdekje në maj 2013 nga ana e Gjykatës për Krime Ndërkombëtare, një gjykatë vendase kjo e formuar për të hetuar krimet e luftës të 1971, dhe apelimi ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në nëntor 2014, duke mbështetur dënimin me vdekje ndaj tij.
 
Gjykata pretendoi se Kamaruzzaman është fajtor për pesë akuza për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë edhe akuzat për vrasje, përdhunim dhe rrëmbim.
Artikulli paraprakRoja Bregdetare Italiane shpëton rreth njëmijë refugjatë në Mesdhe
Artikulli vijuesVetëdija e dobët…defekt pengues