Tusk për krizën në Maqedoni: Zgjidhje në kuadër të parimeve demokratike

“Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme. Kur ta gjeni atë, mund ta llogarisni mbështetjen tonë”, theksoi Tusk

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pas takimit me presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në Vilën Presidenciale “Villa Vodno” në Shkup, në të cilën theks i veçantë ishte kriza e emigrantëve dhe roli i Maqedonisë me të, porositi se bashkëpunimi në këtë fushë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa theksoi se Evropa mbetet e gatshme për të përmbushur nevojat e vendit, qoftë në mbështetje humanitare për komunitetin lokal, qoftë në mjete apo resurse humane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ju jeni në pozitën më të mirë nga të gjithë për të treguar se sa ishte e rëndësishme mbyllja e rrugës në Ballkanin Perëndimor dhe përsëri të sigurohet kontroll i kufijve, si rezultat të ketë stabilitet në rajon. Zhvilluam një strategji gjithëpërfshirëse për t’u përballur me krizën e emigrantëve dhe sot rruga e Ballkanit Perëndimor praktikisht mbetet e mbyllur, e gjithë kjo në saje të përpjekjeve tuaja”, deklaroi Tusk.

Kreu i Këshillit Evropian foli edhe për krizën aktuale politike që ka përfshirë Maqedoninë. Ai duke iu drejtuar presidenti Ivanov theksoi se nuk është e lehtë që të sigurohet një lidership në këto kohë të vështira të vendit. Duke theksuar se uniteti sot është shumë i nevojshëm për vendin, Tuks porositi që t’u shmangen veprimeve që do të ushqenin tensionet, ndër të tjera edhe në baza etnike.

“Kjo krizë politike është duke mbajtur vendin tuaj prapa rrugës euro-atlantike. Mbetet tek ju që të gjeni një zgjidhje në përputhje të parimeve demokratike, mirësjelljes dhe të arsyeshme. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme. Kur ta gjeni atë, mund ta llogarisni mbështetjen tonë”, theksoi Tusk.

Ivanov: Vendimi im mbetet i pandryshuar
Ndërkaq, në lidhje me krizën politike që ka përfshirë vendin, presidenti Ivanov theksoi se pozicioni i tij mbetet i pandryshuar. Sipas tij, vendimi për mosdhënien e mandatit liderin të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për formimin e qeverisë së re është për të parandaluar pasojat e dëmshme me të cilat vendi mund të ishte ballafaquar.

“Është e domosdoshme për liderët e partive politike zbatimi i prioriteteve të reformave urgjente. Pika e parë në axhenden e partive dhe deputetëve duhet të jenë reformat urgjente, e jo zbatimi i platformave pas-zgjedhore të krijuara nga vende të huaja. Platforma rrezikon pavarësinë e shtetit, kushtëzohet arritja e shumicës parlamentare, cenohet përbërja e qeverisë së re. Shkatërrohen marrëdhëniet e mira fqinjësore me ndërhyrje direkte në punët e brendshme të Maqedonisë, nxiten tensione në marrëdhëniet ndër-etnike, manipulohen qytetarët me çështje që janë jashtë marrëveshjes kornizë, kërkohet ndryshim i Kushtetutës. Prandaj, Maqedonia ka nevojë për reforma evropiane, e jo për platforma të huaja”, deklaroi presidenti Ivanov.

Presidenti Ivanov theksoi se në takim është diskutuar edhe për krizën e emigrantëve, ku dhe ka falënderuar kreun e Këshillit Evropian për mbështetjen dhe ndihëm ndaj Maqedonisë.

“Maqedonia ashtu si deri tani, edhe në të ardhmen do të veprojë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe të qytetarëve të saj. Mirëpo, njëkohësisht, Maqedonia është gardian i portave të Evropës dhe mbi 19 muaj kontrollon pikat hyrëse të korridorit më të shpejtë të migrimit që çon në Evropë. Mesazhi im për Bashkimin Evropian është i qartë, na ndihmoni neve, që të ju ndihmojmë. Duke ndihmuar Maqedoninë, ndihmoni veten tuaj”, deklaroi presidenti Ivanov.

Artikulli paraprakRriten remitencat e huaja në Kosovë
Artikulli vijues“Shpërthimi në metronë e Shën Petersburgut është sulm terrorist”