TVSH-ja nuk do të paguhet më në kufi dhe atë s’do ta mbledhë dogana

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se brenda tri vitesh do të ngriten kapacitetet administrative për zhvendosjen graduale të grumbullimit të TVSH-së (Tatimit në Vlerën e Shtuar) nga kufiri në brendi të vendit, pas shitjes së mallrave. “Kjo do të lehtësojë barrën e bizneseve dhe do të rrisë likuiditetin e tyre”, ka vlerësuar qeveria.
 
Në këtë drejtim, vazhdimësia e reformimit të dy organeve kryesore për grumbullimin e të hyrave, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, do të bëhet me qëllim të krijimit të lehtësirave për komunitetin e biznesit nëpërmjet komunikimit dhe dialogut publiko-privat dhe promovimit të konkurrencës së drejtë në treg, duke trajtuar të gjitha subjektet juridike në mënyrë të barabartë.
“Planifikohet që gjatë mandatit të ardhshëm të bëhet unifikimi i këtyre dy administratave në një Agjenci të përbashkët për grumbullimin e të hyrave tatimore në vend”, ka konstatuar qeveria.
Sipas ekzekutivit të vendit, shkrija e ATK-së dhe Doganës në një autoritet të vetëm te të hyrave do të bëhet në harmoni me proceset e integrimit, meqë tarifat doganore do të eliminohen me shumicën e partnerëve kryesorë tregtarë të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve për tregti të lirë.
 
Artikulli paraprakOKB: Libisë t’i vihet embargo armësh
Artikulli vijuesPresidenti Turk ERDOGAN te Xhamia e Pejgamberit!