Kosova dhe Serbia kthejnë vëmendjen drejt energjisë

Prishtina kërkon një marrëveshje mbi kontrollin e aseteve energjetike në Kosovën e veriut.

Beogradi dhe Prishtina planifikojnë të përqendrohen në zgjidhjen e çështjeve të energjisë dhe telekomunikacionit në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja. Komuniteti Energjetik, i cili sistemon çështjet e energjisë në mbarë Evropën në bazë të ligjit të BE-së, ka deklaruar se Beogradi është në shkelje të rregullave të Komunitetit Energjetik sepse nuk ka kompensuar Prishtinën për përdorimin e linjave të transmetimit në Kosovën e veriut për të kaluar energjinë elektrike në Serbi dhe vendet pranë.

“Serbisë i është bërë e qartë se duhet të korrigjojë politikat e saj kundrejt Kosovës dhe kjo nënkupton automatikisht pranimin e traktatit të energjisë mes të dyja vendeve”, tha për SETimes Tahiri, zëvendës kryeministre e Kosovës dhe kryesuese e ekipit të vendit në bisedimet teknike. “Projekt-marrëveshja është përpunuar mes të dyja palëve [Kosova dhe Serbia], por Serbia nuk ka qenë e gatshme ta pranojë”.

Përveç kompensimit të Kosovës, Tahiri tha se marrëveshja specifikon se asetet energjetike në Kosovë do të kontrollohen nga Prishtina.

Sekretariati i Komunitetit Energjetik është përpjekur ta zgjidhë çështjen prej dy vitesh.

Borislav Stefanoviç, ish- kryesues i ekipit negociator të Serbisë, tha për SETimes se bisedimet mbi energjinë nuk kanë qenë produktive sepse Serbia ka bërë propozime konkrete, të cilat Prishtina i ka refuzuar të gjitha.

Stefanoviç tha se qëllimi i Serbisë është të ruajë kapacitetin e Kompanisë së Energjisë Elektrike të Serbisë (EPS) në Kosovën e veriut, duke e mbajtur atë në duart e EPS ose të një filiali që do të ishte i themeluar në Prishtinë. Prioritet gjithashtu është mundësimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike për serbët në enklavat në jug të lumit Ibër, tha Stefanoviç.

“Negociatat duhej gjithashtu të arrinin një marrëveshje mbi shlyerjen e borxheve të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe EPS. Këtë jemi munduar të bëjmë dhe kemi qenë shumë fleksibël për këtë, me qëllimin e ruajtjes së strukturave më të rëndësishme në veriun e Kosovës — Gazivode and Valac”, tha Stefanoviç.

Rasim Ljajiç, ministri i tregtisë me jashtë dhe brenda dhe telekomunikacionet, tha për SETimes se zyrtarët planifikojnë të diskutojnë edhe prefiksin telefonik të Kosovës. “Institucionet e Kosovës kanë kërkuar një prefiks ndërkombëtar dhe dëshironin që të ishte prefiksi i lirë 383”, tha Ljajiç. “Në bisedimet e mëparshme, Serbia kishte ofruar një zgjidhje kompromisi, prefiksin 3815 [prefiksi i Serbisë me një 5 të shtuar], por ajo u refuzua”.

Ai tha se bisedimet do të fokusoheshin gjithashtu në fatin e pronave të telekomunikacionit dhe punës së operatorëve serbë në Kosovë.

“Ne presim rezultatin e bisedimeve mes dy kryeministrave duke qenë se ato do të përcaktojnë temat që do të diskutohen në dialogun teknik”, shtoi Ljajiç. “Ne jemi të gatshëm për dialog dhe jemi të interesuar të zgjidhim këto çështje”.

Tahiri tha se Kosova ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme të ketë prefiksin e saj ndërkombëtar, jo vetëm sepse njihet në shkallë ndërkombëtare, por edhe sepse si njësi federale e ish-Jugosllavisë kishte prefiksin e vet telefonik dhe linjat e veta të frekuencës.

“Kur organizata ndërkombëtare e telekomunikacionit përcaktoi frekuencat dhe kodet, ajo i përcaktoi ato për tetë njësitë federale [përfshirë Kosovën], prandaj Kosova ka prefiksin e saj dhe Serbia duhet ta pranojë këtë realitet dhe të mos bllokojë prefiksin”, tha Tahiri për SETimes.

Artikulli paraprakMë 15 dhjetor votohet në referendum Kushtetuta e Egjiptit
Artikulli vijuesTalebanët sulmohojnë bazën e përbashkët amerikano-afgane