“Unë e di Shkodër se nuk jam gja, veçse mburrem që jam shkodran..!”

Këtë që do ju them tani, mos ma merrni për fanatizëm! “Shkodra është kryeqyteti i Islamit në Shqipëri!”, ma tha sot një mik i shtrenjtë nga vendet e shenjta, me të cilin po vizitonim qytetin e bukur të diversitetit shpirtëror e kulturor; Shkodërlocen zemërmadhe…

“Kjo pjesë e qytetit tuaj ngjan shumë me lagjen e Sidi Ebu Ejjubit në Stamboll”, tha, teksa po bënim një shëtitje në pedonalen që të çon te Xhamia e Madhe…

“Kishat përreth xhamisë së Hz. Ebu Bekrit, i ngjajnë Kudsit Sherifë në Palestinë”, tha, teksa po hynim për të falur mesditën… (Në rresht me ne, sot u fal edhe një mjek, që për herë të parë shkelte në një xhami. Ishte namazi i tij i parë. E uruam, duke u përqafuar me shumë emocion)…

“Interesant atmosfera tek ju, ngjan me atmosferën e Damaskut”, tha, teksa vërente selamet e shpeshta dhe përshëndetjet, me të cilat qytetarë të ndryshëm na nderonin e na ndalnin në rrugë…

“Në kryeqytet të merr malli të dëgjosh ezanin!”, tha, duke i ndriçuar sytë nga pamja e minareve të bukura të qytetit tonë, prej ku, ezani pesë herë në ditë mbulon me pelerinë bekimesh atmosferën e jetës shpirtërore të njerëzve…

“Gjurmët osmane tek ju, rrezatojnë akoma shpirt shekujsh, a nuk e ndjeni?”, më pyeti, teksa po kalonim bri Urës së Mesit, ku shkrepëm edhe ca foto, si kujtim…

“Nuk ka si Xhamia e Plumbit, që vizituam herën e shkuar!”, më bëri me shenjë, si për të më kërkuar ta vizitonim sërish e sërish…

“Kush pi ujë nga kjo çezme, do rikthehet sërish në Shkodër”, i tha njëri prej vëllezërve, në shoqërinë e të cilit kaluam çaste të paçmuara, teksa kalonim pranë xhamisë së Parrucës. Ai u ndal, na pa me të shpejtë, hapi rubinetin dhe pasi piu ujë tha: “Në Damask, në çdo lagje ka çezme hajratesh të ngjashme me këtë! Unë dua të jem përherë në Shkodër!”…

“Po bëj një shëtitje të paharrueshme në kryeqytetin e Islamit në Shqipëri, në Shkodër…”, lajmëroi familjen e tij në telefon, teksa po ktheheshim nga Ura e Shtrenjtë, minarja e së cilës i tërhoqi vëmendjen për bardhësinë e saj…

Miku im i shtrenjtë kaloi një ditë të paharruar sot në Shkodër… U gëzova pa masë. Ndërkohë m’u kujtuan vargjet e Vexhi Buharasë, kur thotë:

Dashurin’ që kam për tynë
Ma di rrezja drit’ e diellit;
Ti dhe unë të pandarë
Jemi brenda rrotës’ qiellit…

Më erdh para sysh edhe fytyra e nurshme e Hoxhës, H. Vehbi Gavoçi, i cili, nga Damasku i largët, në moshë të thyer, i shkruante një letër malli Vendlindjes së tij Shkodrës. E mbyllte me këtë fjali: “Unë e di Shkodër se nuk jam gja, veçse mburrem që jam shkodran..!”

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 mars 2016.

Artikulli paraprak20 vjeçari hafiz i Kuranit dhe i shumë librave të hadithit
Artikulli vijuesKush ishte Hasan Turabi?