Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë ka miratuar një rezolutë të debatueshme, e cila nuk njeh asnjë referencë të lidhjeve hebraike me një ndër vendet më të shenjta në Jerusalem.
Bordi ekzekutiv i UNESCO-s miratoi rezolutën e sponsorizuar nga arabët, e cila i referohet në vazhdimësi Malit të Tempullit, siç e njohin hebrenjtë, vetëm me emrin islamik të Haram al-Sharif, siç e njohin myslimanët. Ky vend është i shenjtë edhe për judaizmin.
Rezoluta shkaktoi irritimin e Izraelit, i cili ngriu bashkëpunimin me UNESCO-n që prej javës së kaluar.
Qëllimi i kësaj lëvizjeje, siç është theksuar në tekstin e rezolutës, është “ruajtja e trashëgimisë kulturore të Palestinës dhe karakterit dallues të Jerusalemit Lindor”.
Rezoluta kritikon gjithashtu aktivitetet e ndërmarra nga Izraeli në vendet e shenjta në Jerusalem apo në Bregun Perëndimor të pushtuar, përcjell TCH.
Irritimin e Izraelit thuhet se e ka shkaktuar fakti, sesi rezoluta i referohet me emrin arab vendit të shenjtë.
E ndërsa pranon “rëndësinë e qytetit të vjetër të Jerusalemit dhe mureve të tij për të tri besimet monoteiste”, dokumenti i referohet atij vetëm me emrin “al-Aqsa Mosque” apo “Haram al-Sharif”.
Mali i Tempullit, siç njihej deri më sot, është vendndodhja e dy tempujve biblikë hebraikë dhe rrethohet nga Muri Perëndimor, i nderuar nga hebrenjtë si pjesë e murit origjinal mbështetës të kompleksit të tempullit.
“Haram al-Sharif” është gjithashtu vendi, nga ku myslimanët besojnë se Profeti Muhamed u ngjit për në parajsë, si dhe konsiderohet si vendi i tretë i shenjtë për nga rëndësia në fenë Islame.
Kreu i bordit ekzekutiv të UNESCO-s, Michael Worbs tha të premten se do të dëshironte më shumë kohë për të arritur një kompromis.
“Është diçka e jashtëzakonshme ajo çfarë ndodhi dje dhe më vjen vërtet keq për të”.
Të martën, ambasadori izraelit në UNESCO, Carmel Shama Hacohen, akuzoi palestinezët se po bëjnë “lojëra”.
“Ky është vendi i gabuar për të zgjidhur problemet mes vendeve dhe popujve”, tha ai për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Por, zv.ambasadori palestinez në UNESCO, Mounir Anastas mirëpriti miratimin e rezolutës, duke thënë se kështu shpreson që të ushtrohet më shumë presion ndaj autoriteteve izraelite për të ndalur shkeljet e tyre, veçanërisht sa i përket gërmimeve në vendet brenda dhe jashtë Jerusalemit të Vjetër.