Uniforma e re e serbëve në veri (VIDEO)

Shfaqet uniforma e strukturave të sigurisë së Serbisë në veri të Mitrovicës. Njerëzit, të cilët deri para pak ditësh janë endur në rroba civile, nga dita e shtunë qytetarët kanë mundur t’i shohin në një uniformë, e cila dyshohet se i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Siç shihet në këtë video amatore, uniforma e tyre është e thjeshtë. Ata mbajnë të veshur një xhaketë me ngjyrë të kaltër, në të cilën shkruhet në gjuhën serbe dhe angleze, “Mbrojtja Civile e Mitrovicës”.

Përballë këtyre pamjeve, autoritetet policore vendase dhe ndërkombëtare nuk dinë të japin shumë shpjegime. Zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës, Besim Hoti konfirmon praninë e strukturave serbe me uniforma, por mohon se ato kanë pasur veprime operative.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Mitrovicës tha: “Nuk bëhet fjalë për uniformë operative. Ajo çfarë ne disponojmë janë disa xhaketa me mbishkrimin në gjuhën serbe dhe angleze, që nënkupton mbrojtjen civile, mirëpo kush fshihet prapa saj mbetet tek organet e rendit dhe tek institucionet ndërkombëtare të sigurisë, që të marrin masat e mëtejshme. Ne jemi në kontakt me Prokurorin Publik dhe do të shohim se në çfarë forme dhe si do të qasemi”.

“Kush është mbrojtja civile, sipas të dhënave të policisë, me apo pa uniformë?”

“Sigurisht janë ato mbetjet të ish sistemit të mëparshëm të sigurisë në Kosovë, ne nuk e demantojmë një gjë të tillë, por kush fshihen prapa tyre, ne nuk mund t’i qasemi informacioneve në këtë moment”, u shpreh më tej Hoti.

Më të ashpër, ndaj prezencës së uniformës serbe në territorin e Kosovës, janë zyrtarët komunalë të Mitrovicës. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, në kuadër të komunës së Mitrovicës, shpjegon me detaje pikat, nëpër të cilat lëvizin pjesëtarët e mbrojtjes civile. Ai kërkoi nga institucionet e sigurisë, që të ndërmerren masat për largimin e tyre.

Behxhet Bala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Komuna e Mitrovicës tha: “Objekti, në të cilin funksionon e ashtuquajtura ‘mbrojtje civile e Mitrovicës’, ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve në veri të qytetit. Por, këtu filmimi ndalohet nga pjesëtarët e sigurisë së objektit”.

Gazetarët janë afruar me kamera amatore drejt objektit dhe kanë shkëmbyer këtë bisedë:

– “A mund të xhirojmë? Jemi gazetarë”
Sigurimi i objektit – “Gazetarë të cilit televizion?”
– “Jemi nga Shqipëria”
Sigurimi i objektit – “Prit më duhet të pyes. (Kanë ardhur nga Shqipëria që të xhirojnë)
Sigurimi i objektit – “Jo, jo, nuk mundeni”.

– “Pse?”
Sigurimi i objektit – “Sepse ashtu është urdhri nga Beogradi”.

Pjesëtarët e mbrojtjes civile me uniforma jane parë edhe nga shqiptarët, të cilët jetojnë në veri, megjithatë, për shkaqe sigurie, ata refuzojnë të dalin para kameras. Mësohet se një nga arsyet e daljes së tyre me uniforma në terren është vizita e kryetarëve të komunave të Serbisë në veri, dy ditë më parë./tch

Artikulli paraprakZharku i ka shterur mundësitë për shtyrje të dënimit
Artikulli vijuesVriten 85 ushtarë sirianë dhe 110 civilë dhe luftetarë