Zharku i ka shterur mundësitë për shtyrje të dënimit

Ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe për armëmbajtje pa leje, të hënën nuk i është dorëzuar aktvendimi i kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, me të cilin atij i është refuzuar përfundimisht edhe kërkesa e dytë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
“Aktvendimi nuk i është dorëzuar sot për shkak se ai nuk ka qenë në shtëpi. Do t’i dorëzohet nesër (e martë)”, ka theksuar Hebib Burrniku, zyrtar i ekzekutimeve i Gjykatës Komunale (GJK) të Kaçanikut, të hënën, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Ramadan Gudaçi, kryetar i GJK-së, ka deklaruar se Zharku i ka shterur mundësitë për shtyrje të dënimit.

“Unë konsideroj se ai i ka shterur mundësitë sa i përket kërkesave për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, edhe pse askush nuk mund t’ia mohojë të drejtën për të bërë kërkesë të re”, ka theksuar Gudaçi.

Sipas tij, pasi ta marrë aktvendimin e fundit Xhabir Zharku menjëherë duhet ta kontakojë GJK-në lidhur me shkuarjen e tij në vuajtje të dënimit.

“Nëse ai nuk e bën këtë, atëherë ligji mua më obligon që me shkresë zyrtare t’i kërkojë policisë arrestimin dhe çuarjen e tij në burg”, ka thënë Gudaçi.

Kërkesën e parë për shtyrjen e dënimit Xhabir Zharku e pati bërë me arsyetimin se i duhet kohë për ta realizuar një projekt biznesor, ndërsa në të dytën nga GJK-ja pati kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri në marrjen e përgjigjes nga Gjykata Supreme e Kosovës lidhur me kërkesën e bërë asaj për mbrojtje të ligjshmërisë. /Telegrafi/

Artikulli paraprakMicrosoft – Lufta e aplikacioneve
Artikulli vijuesUniforma e re e serbëve në veri (VIDEO)