Shkup, 30 gusht – Në prag të regjistrimeve, Universiteti “Kiril dhe Metodi nuk ofron asnjë material në gjuhën shqipe. Edhe pse është universitet shtetëror që duhet tu mundësojë studentëve të paktën të informohen në gjuhën amë, UKM bën diskriminim e tyre, transmeton INA.
Me sa dihet vetëm në katedrën “Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare” ka përafërsisht më shumë se 200 studentë shqiptarë, ndonëse ende jemi duke pritur konfirmim nga UKM për numrin e saktë të shqiptarëve në këtë universitet.
Në Kodin Etik të UKM shkruan, “Të gjithë aktivistët, mësimdhënësit, studentët dhe kandidatët shkencor të Universitetit janë të barabartë”. Kjo nuk respektohet, alarmojnë profesorët.
Shqiptarët nuk kanë qendër informimi në gjuhën shqipe, e gjithë administrata dhe shërbimet studentore të Fakulteteve të UKM funksionojnë vetëm në gjuhën maqedonase; shkresat, lutjet, kërkesat, vërtetimet, ankesat dhe shumë dokumente tjera, patjetër duhet të shkruhet vetëm në gjuhë maqedonase; Sistemi elektronik për paraqitjen e provimeve, por edhe fletëparaqitjet dhe i gjithë dokumentacioni përkatës për mbushjen e dosjes së studentëve është e gjitha në maqedonisht; Përveç kësaj, duke filluar që nga ueb faqja zyrtare e Universitetit e gjerë te gjitha faqet zyrtare të fakulteteve që bëjnë pjesë nën ombrellën e tij janë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.
“Studentët tanë janë të diskriminuar jo vetëm krahas studentëve maqedonas, të cilët çdo shkresë administrative e plotësojnë në gjuhën e tyre amtare, por edhe krahas bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë të fakulteteve të tjerë si në Universitetin e Tetovës apo gjetkë, sepse asnjë shkresë më të vogël nuk kanë të drejtë ta shkruajnë në gjuhën shqipe”, thotë për Portalb, koordinatorja e katedrës “Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare”, doc.dr. Ajten Qamili.
I po të njëjtit mendim është edhe shefi i katedrës duke vlerësuar se studentët shqiptar nuk janë të barabartë me ata maqedonas.
“Mendoj se nuk janë të barabartë në shumë aspekte, njëra ndër ato është aspekti i gjuhës, mospërdorimi i gjuhës amtare në procesin mësimor”. thotë prof.dr Agim Leka.
Profesorët përgjegjësinë e kërkojnë nga politikanët shqiptar, dhe institucionet që i udhëheqin ata.
“Përgjegjësinë për këtë diskriminim e kanë politikanët shqiptarë të cilët kur sjellin dhe votojnë ligje, nuk i analizojnë aq sa duhet, pastaj për pasojë lënë zbrazëtira të këtilla”.
Ndërkaq në lidhje me mos punësimin e kuadrove shqiptar nëpër sektorët e Universitetit, profesori Leka kërkon përgjegjësi nga udhëheqësit e institucioneve përkatëse.