Urtësia e përjetshme dhe e Vërteta e të përbashkëtës njerëzore

“Urtësia e Përjetshme” është një filozofi mistike që thotë se, të gjitha traditat fetare për gjatë kohërave janë shfaqje të ndryshme të një të vërtete të vetme dhe se, njohuritë fetare, pavarësisht dallimeve mes tyre, burojnë nga një thelb i vetëm ose nga “feja e përjetshme” (Religio Perennis). Të gjitha fetë, pavarësisht nga konteksti i tyre kulturor apo historik, janë thjesht interpretime të ndryshme të kësaj të vërtete universale të përbashkët. Dallimet në mes librave të shenjtë që u përkasin feve të ndryshme dhe mospërputhjet mes tyre, vijnë për shkak se çdo fe është formësuar në trajta të ndryshme për tu përshtatur me nevojat shoqërore, racionale dhe shpirtërore të epokës kur ato janë shfaqur. Duke u bazuar në këtë pikëpamje, dallimet në mes feve, te ndjekësit e kësaj filozofie, shihen si lëvozhga (ana e jashtme) të cilat mund të largohen për të mbërritur te thelbi (ana e brendshme).
I pari ai që ka përdorur shprehjen “urtësia e përjetshme” apo “filozofia e përjetshme” ishte katoliku humanist Agostino Steuco (1497–1548 e.s). Steuco punoi si sekretar i zyrës së Vatikanit dhe në vitin 1540 e.s. shkroi një libër me titullin “Filozofia e Përjetshme” të cilin ia dhuroi papës Pali i tretë. Ndërkohë ky term ka gjetur përhapje të madhe në kohën moderne, pas botimit të librit me titull “Filozofia e Përjetshme” (The Perennial Philosophy) të filozofit Aldous Huxley në vitin 1945 e.s.
Shkolla më e njohur e mendimit që bazohet mbi këtë filozofi ezoterike është ajo që quhet “Shkolla e Traditës”, të cilën e përfaqësojnë mjaft mendimtarë të shek. XX, si Rene Guenon, Martin Lings dhe iraniani S. Husein Nasr.
Shkolla ka marrë këtë emër “Traditionalism”, sepse sipas pretendimit të saj ka një  “trashëgimi” të përbashkët ndërmjet të gjitha feve: Hinduizmit, Budizmit, Judaizmit, Krishterimit, Islamit…etj. Kjo trashëgimi e përbashkët i ngjan qendrës së rrethit, ku të gjitha fetë qëndrojnë përqark saj dhe në mes të këtij rrethi, çdo njërën prej tyre, e çon një rreze, që nënkupton shtegun e saj të veçantë sesi kjo fe mbërrin në qendër.

                
 
 
 
Muslimani – sipas tyre – nuk është më me fat në mbartjen e së vërtetës sesa hindusi që adhuron lopën, që të dyja fetë shprehin të njëjtën të vërtetë universale.
Idetë e shkollës tradicionaliste e gjejnë burimin e tyre te filozofi ezoterik francez “René Guénon”. Gunenon u lind në Francë në vitin 1886 e.s., ai u rrit në një ambient fetar katolik dhe më pas u edukua nga njerëzit e rendit jezuit. Në vitin 1909 e.s ai themeloi revistën ezoterike “La Gnose” ose ndryshe “Njohja”. Në vitin 1911 e.s. ai përqafon tarikatin shadhili nga dora e ezoterikut, masonit suedez Ivan Aguéli, ose i njohur ndryshe si shejh Abdulhadi Akili -siç e kishte quajtur vetveten- dhe një nga mbrojtësit e flaktë të Ibn Arabiut. Një vit më pas Guenon kryen ritualet masone duke u bërë pjesë e lozhës Thébah që ishte pjesë e lozhës së madhe masone franceze. Në vitin 1924 e.s. ai shkroi librin “Lindja dhe Perëndimi” në të cilën ai ftonte në shpëtimin e botës perëndimore nëpërmjet ringjalljes ezoterike hinduse.[1]
Në vitin 1930 e.s. Guenon zhvendoset në Kajro dhe atje martohet me vajzën e njërit prej shehlerëve sufi dhe më pas njihet me emrin “Abdul-uahid Jahja”. Por edhe pas kësaj ai u jep aprovimin disa miqve të tij të themelojnë në Francë një lozhë masone me emrin e një prej librave të tij “La Grande Triade”, ku flitet për mënyrën sesi kryhen ritualet masone.[2]Guenon vdes në vitin 1951 e.s. duke u shndërruar për disa, një nga personalitet madhështorë të Islamit!
Një nga nxënësit e tij më të njohur qe ezoteriku i paturp zvicerani “Frithjof Schuon”, cili u fut në tarikatin sufi aljuijeh, e themeluar nga shejh “Ahmed Aljuh”, i njohur për mungesën e tij etike ndaj Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe broçkullat e tij panteiste (shetahatuhu hululijeh). Pas vdekjes së shejhut të tij, tek Schuon ngjallet damari i tij i krishterë dhe kështu ai themelon tarikatin “Merjemije” që e merr emrin nga Merjemja (alejha selam), pasi –sipas tij- ai e pa atë në ëndërr, në një pamje që për pozitën e saj është turp ta përmendim. Ndjekës të këtij tarikati nuk ka vetëm musliman, por edhe çifut, të krishterë, hindus, … etj.
Nxënës i këtij zindiku të fundit qe edhe shkrimtari anglez “Martin Lings”, autori i librit të njohur “Jeta e Muhamedit (alejhi salatu ue selam) bazuar në burimet e hershme”[3]
Ky merjemist thotë në librin e tij “Ora e Njëmbëdhjetë”: “Mbretëria e qiellit gjendet brenda teje. Kjo e vërtetë është themeli i ezoterizmit, dija dhe studimi i së brendshmes. Angazhimi i mistikut e tejkalon shpëtimin dhe shkon drejt shenjtërimit, që është një nga kuptimet më të larta të hyjnitetit, pra drejt unitetit me përsosmërinë absolute të qenies hyjnore. Fena-ja (tretja në Zotin) në të gjitha rastet është “Nirvana” budiste, në misticizmin islam shprehja se “sufiu është i pa krijuar” dëshmon për të njëjtin realitet absolut.”[4]  
Ndërsa diku tjetër ai thotë: “Por e vërteta imponon vetveten e saj, asgjë tjetër veç doktrinës së përkryer “samsara”[5], nuk mund të paraqes një koncept të tillë për ekzistencën, që i përgjigjet kërkesave të arsyes meditative, duke e konsideruar atë themelin simbolik në meditimin e Hyjit absolut.”[6]  
Duket sikur ky njeri nuk e lexuar fjalët e Allahut të Lartësuar që thotë: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë!Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-Imran: 190-191)
A nuk i mjaftuan këto fjalë këtij njeriu, por shkon e na prezanton idhujtarinë e hindusve dhe të budistëve dhe na i vë ato para shpalljes së Zotit të Botëve?!
Kjo është vetëm maja e ajsbergut të fjalëve që ka thënë ky njeri, ndërkohë që për shumë muslimanë ai konsiderohet si një nga autoritetet e shquara të thirrjes islame në Britani, pa përmendur këtu problemet që ka libri i tij “Jeta e Muhamedit (alejhi salatu ue selam) bazuar në burimet e hershme”, të cilat nuk është vendi këtu për t’i shtjelluar, por qëllimi është vetëm të paralajmëroj për doktrinën që ai trashëgoi nga mësuesi i tij katoliko-ezoterik, Frithjof Schuon, dhe nga të devijuarit e tarikateve sufiste.
Kjo idhujtari, të cilën ata e quajnë “e vërteta”, është feja e përjetshme për ndjekësit e lëvizjes “tradicionaliste”. Mbërritja te kjo “e vërtetë” arrihet nëpërmjet çdo rruge, qofshin këto meditimet budiste, joga hinduste, apo rituale masone. Kjo shkollë mbart brenda saj pikëpamjet e tretjes në Zotin (hulul) dhe unifikimit me Të (itihad) dhe te mjaft prej ndjekësve të saj edhe rimishërimin e shpirtrave, ndaj nuk është çudi pse Ibn Arabiu është një nga imamët e tyre.
Një nga ndjekësit e njohur të kësaj shkolle është edhe “Rozhe Garodi”, i cili tregoi entuziazmin e tij për librat e Guenonit, në një intervistë me filozofin Alain de Benoist.[7] Përpjekjet e tij për unitetin mes feve dhe futjen e tyre në kallëpin e “Feve Abrahamike” janë mjaft të njohura, sado do zgjateshim nëse do t’i përmendnim. Këtë konstatim e mbështet edhe opinioni i gazetarit investigativ amerikan Robert Dreyfuss, në librin e tij “Peng  Homeinit” (fq. 211-212) ku ai thotë: “Sipas burimeve iraniane S. Husein Nasr e bindi kancelarin e Universitetit të Teheranit Hushang Nahavandi, një këshilltar ky i Shahbanout (gruaja e Shahut të Persisë), të kanalizonte miliona dollarë te francezi me lidhje jezuite, teoricieni Rozhe Garodi, për institutin e tij të Dialogut dhe Qytetërimit… Garodi është një figurë e rëndësishme e operacioneve të shërbimit inteligjent britanik. Ai ka ndikim të madh në post-revolucionin iranian dhe në mesin e ultra majtistëve në Algjeri, dhe gjithashtu një nga mentorët më të afërm të Gadafit në Libi. Garodi është një ish teoricien i Partisë Komuniste i konvertuar në katolicizmin roman nëpërmjet ndikimit të Pere Lebret, një autoritet jezuit ky, në konservimin e strukturës sociale të shoqërisë afrikane bazuar në artin e magjisë fisnore.”[8]
Librat e Garodit edhe pse mjaft të njohur, nuk kanë më atë ndikim që kishin në shek. XX, kështu që një tjetër personazh i rëndësishëm ka dalë në skenë dhe që luan të njëjtin rol, por në një formë disi më të butë. Ky personazh është autorja angleze Karen Amstrong. Amstrong është një nga autoret më të rrezikshme që punojnë për idenë e unifikimit të feve, duke u nisur nga doktrina e “tradicionalizmit” apo ndryshe “fesë së përjetshme”. Dallimi në mes saj dhe atyre që përmenda është se, ajo nuk e ka pranuar Islamin, siç bën të parët, por ajo merr pjesë nëpër konferenca dhe dokumentarë të ndryshëm sikur të përfaqësonte Islamin, aq sa disa naivë besojnë se ajo është shumë pranë pranimit të fesë islame. Duhet ditur se ajo ka qenë më parë një murgeshë e katolike jezuite, në “Shoqëria e Fëmijës së Shenjtë Jezus dhe sipas pretendimit të saj ajo e braktisi katolicizmin dhe nuk përqafoi ndonjë fe tjetër.
Idetë e saj “tradicionaliste” duken qartë për atë që lexon librin e saj “The Case for God”. Në të ajo pretendon se njerëzit dikur nuk adhuronin ndonjë zot me cilësi të veçanta, por adhuronin ekzistencën absolute, derisa në skenë dolën fiset ariane në Indi në shek. X para erës sonë, të cilët e quajtën këtë të adhuruar me emrin “Brahman”, ekzistencën absolute.[9] Ndaj pikërisht për këtë ajo u thur lavde sufistëve ekstrem kur thotë: “Dega mistike e Islamit, Sufizmi, insiston se kur ti je në prezencë të Zotit, ti nuk je as çifut, as i krishterë dhe as muslimanë. Ti je në shtëpinë e Tij edhe nëse ti je në një sinagogë, xhami, tempull apo kishë, sepse të gjitha fetë e drejtë-udhëzuara vijnë nga Zoti. Dhe një njeri i Perëndisë, pasi të hedh një vështrim hyjnori lë pas shpine këto dallime që ka shpikur njeriu.”[10]
Për sa i përket qëndrimit të saj që ajo mban ndaj Islamit, nuk dallon shumë nga orientalistët e tjerë, ajo në librin e saj “Historia e Zotit”, që në arabisht është përkthyer me titullin “Allahu dhe njeriu”, pasi flet për përmendjen që Kurani i bën Profetëve Israelitë, thotë: “Muslimanët sot këmbëngulin se nëse Muhamedi do t’i kishte njohur hindustët dhe budistët do t’i kishte shtuar edhe historitë e liderëve të tyre.”[11] Pra, nuk mjaftohet vetëm me pretendimin se Kurani është produkt i shkruar nga vetë Profeti (alejhi salatu ue selam), por i konsideron mistikët jomuslimanë, liderët e hindustëve dhe budistëve si Profetë dhe të Dërguar të Zotit!
Në një vend tjetër ajo thotë: “Nga judenjtë miqësorë të Medinës, Muhamedi mësoi gjithashtu historinë e Ismailit, djalit të madh të Abrahamit.”[12] Nuk e di se nga kush duhet të habitem më shumë: nga judenjtë miqësorë apo nga mësimi që ata i dhanë zotnisë së njerëzimit (alejhi salatu ue selam)?
Kjo autore ka marrë një iniciativë ndërkombëtare, të cilën e ka quajtur “Karta e Dhembshurisë” (Charter for Compassion) të cilën e nis me fjalët: “Parimi i dhembshurisë qëndron në zemër të të gjitha traditave fetareetike dhe shpirtërore.”
Armstrong përpiqet të unifikoj fetë, nëpërmjet qasjes që quhet “e përbashkëta humane”, e cila nuk është asgjë më shumë sesa një urë për propaganduesit e doktrinës “filozofia epërjetshme”.
Ngjashëm me këtë është edhe përkthimi që ata i bëjnë fjalës “Kelimetin seua” (një fjalë e njëjtë) që përmendet në suren Al-Imran: 64 me fjalën “Common Word” (një fjalë e përbashkët), ndërkohë që qëllimi i kuptimit të kësaj fjale në këtë ajet është “fjala e drejtë” që do thotë distancim nga shirku.
Kohët e fundit kam parë një palo libër, të një autori të ashtuquajtur arab, cili pretendonte në të se “Brahma”, Zoti i hindusve, në realitet është “Ibrahimi” (alejhi selam)! Madje shkrimet hinduse “Veda”, janë fletushkat e Ibrahimit (alejhi selam), duke dashur me këtë të justifikojë termin e pavlerë “Fetë Abrahamike”. Natyrisht që këtë ai nuk e ka nxjerrë nga vetja e tij, por e ka marrë nga disa autorë perëndimorë, por me vetëdije ose jo, ai nuk qëndron shumë larg shkollës së “Rene Guenonit”, i cili shihte te Hinduizmi burimin e fesë së përjetshme, ku sipas pretendimit të tij është origjina e feve.  
Së fundi, dua të them se me këtë përmbledhje të shkurtër dëshiroj t’i informoj thirrësit islam, nxënës të dijes dhe mendimtarë, rreth disa doktrinave ezoterike (batinije), të cilat përhapen me emra të ndryshëm, si dhe t’i njoh me disa personazhe të cilat sot ngrihen lart, ndërkohë që nuk e meritojnë këtë gjë. Kjo temë është mjaft e rëndësishme dhe njerëzit e dijes duhet ta cekin dhe trajtojnë atë e të sqarojnë të pavërtetat e saj, duke mbrojtur kështu anën e teuhidit dhe demaskuar ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij (alejhi salatu ue selam).
Burimi: revista “El-bejan” nr. 301, Ramazan 1433 h./ Gusht 2012 e.s.
 

Nga Fejsal ibn Ali el-Kamili
 
Shqip: Justinian Topulli
 


[1] Mark SedgwickAgainst the Modern World (Oxford University Press, 2004), pp.
[2] Against the Modern Worldp. 121.
[3] Libër ky i përkthyer nga aktivisti më zellshëm i kësaj filozofie mes shqiptarëve Edin Q. Lohja dhe botuar së fundi nga shtëpia botuese “Logos-A”. (shën. përkth.)
[4]  Martin LingsThe Eleventh Hour, 10.
[5] Doktrinë lindore që pretendon se shpirti rimishërohet në një trup tjetër pas vdekjes, në një cikël të pandërprerë.
[6] Martin LingsThe Eleventh Hour, 27, 28.
[7] Against the Modern Worldp. 337.
[8] Robert DreyfussHostage to Khomeinipp. 211, 212.
[9] Karen ArmstrongThe Case for God (Vintage, 2010), p. 21
[10] Në një Intervistë me Bill Moyers dhe që mund ta gjeni në këtë link http://www.pbs.org/now/transcript/transcript_armstrong.html.
[11] Karen ArmstrongA History of God (Vintage, 1999), p. 178.
[12] A History of Godp. 180
Artikulli paraprakBosnja zgjedh Myftiun e ri
Artikulli vijuesKAZAKISTANI ZGJEDH KRYEMINISTRIN E RI