Ushtria pushton rrugët e Bejrutit

Ushtria libaneze vendosi trupat e saj në patrullimin e rrugëve të kryeqytetit Bejrut dhe qytetit port të Tripolit, në një përpjekje për të qetësuar situatën e tensionuar në vend.
Disa persona mbetën të vrarë në luftimet midis forcave pro dhe anti-qeverisë siriane në Tripoli gjatë javës së shkuar, vetëm disa ditë pasi kreu i shërbimeve sekrete, një kundërshtar i betuar i Bashar al-Assad, mbeti viktimë e një autobombe.

Në një sinjal të qartë mbështetje dhe në një tentativë për të vendosur nën kontroll situatën, Bejruti u vizitua të martën edhe nga kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, e cila zhvilloi bisedime me Presidentin Michel Suleiman dhe kryeministrin Najib Mikati, transmeton TCH.

Në fundjavë, Suleiman refuzoi një ofertë për dorëheqje nga kryeministri, një mysliman sunit, i cili udhëheq një kabinet ku mbizotërojnë islamikët shiitë, mbështetës të regjimit sirian dhe lëvizjes terroriste “Hezbollah”.

Sipas reporterit të “BBC”-së, ushtria në Liban gëzon një mbështetje të gjerë popullore dhe në të shkuarën ka ndërmjetësuar vazhdimisht në zgjidhjen e konflikteve midis faktorëve të ndryshëm politikë dhe fetarë.

Artikulli paraprakVatikani e shtyn misionin paqësor për në Siri
Artikulli vijuesEmiri i Katarit dhuron 250 milionë dollarë dhe thërret palestinezët të bashkohen