Pas ditës së djeshme, kur forca të mëdha u dyndën në fshatrat e komunës së Likovës, sot në Vaksincë dhe Llojan situatë dukej e qetë dhe e rëndomtë. Rrugët ishin të mbushura me banorë lokal, ndërsa shumica prej tyre nuk besojnë se arsyeja e prezencës së madhe të forcave policore janë emigrantët ilegalë. Madje, ata thonë se nuk kanë parë refugjatë në fshatin e tyre.
“Jo nuk kemi par emigrantë, forcat policore janë ende në hyrje te fshatit; këtë herë ishin më shumë. Jemi mësuar ne kështu.”
Nuk kemi parë emigrantë të qarkullojnë nëpër fshat. Forcat policore i kemi parë duke kontrolluar tash.”
“Kam qen tek pompa dhe aty kam parë duke kaluar policia, mirëpo emigrantë nuk kam parë. Unë kam punët e mia dhe nuk kam kohë”, u shprehën disa banorë të fshatit Llojan.
Por ka edhe nga ata që kanë parë emigrantët të kalojnë nëpër fshat.
“Po, qarkullojnë emigrantët nëpër fshat dhe ne i kemi parë. Hyjnë dhe dalin, mirëpo probleme nuk kemi pasur.”
Pamjet që siguroi ekipi i TV21 gjatë ditës së djeshme, flasin qartë se emigrantët kalojnë pothuajse çdo ditë nëpër këto fshatra. Banorë që nuk deshën të flasin para kamerave, thanë se ekziston një grup i organizuar, ku shumica e pjesëtarëve janë afganë. Grupi ndodhet në Vaksincë prej vitit 2008, dhe kanë keqtrajtuar refugjatë gjatë gjithë periudhës, sa edhe zgjatë kriza e tyre. Sipas banorëve lokal, grupi është i armatosur, për këtë shkak, edhe policia nuk ndërmerr masa. Prezenca e shtuar e forcave policore, gjatë ditës së djeshme hapi debate të shumta në opinion. Madje në disa portale u përhap edha lajmi se një grup i armatosur ka hyrë ilegalisht nga Kosova në Maqedoni, por këto zëra i mohoi menjëherë vet kryetari i Komunës së Likovës.
“Kam vizituar unë personalisht dhe këshilltarët e Komunës, të gjitha lokacionet për ku flitej se ka grupe të armatosura, mirëpo nuk kemi parë asgjë të pazakontë! Është e vërtete se ka forca te shtuara policore, mirëpo bëhet fjalë për kontroll të rregullt policor. Banoret e Likovës mund të flenë të qetë. Këto dezinformata janë rezultat i pa seriozitetit të disa portaleve qe prodhojnë lajme të tilla për qëllim të vetëm, rritjen e lejueshmërisë së tyre”, tha Sadulla Duraku, Kryetar i Komunës së Likovës.
Ndërkohë, forcat policore, sipas autoriteteve, do të qëndrojnë në zonë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.