Vazhdon fushata e Izraelit për t’i ndryshuar statusin xhamisë Al-Aksa

0
549

Pas një vale tensionesh në kompleksin Al-Aksa, ekziston frika se kjo pikë e nxehtë në Jerusalemin lindor, të okupuar nga Izraeli mund të vlojë edhe një herë, vlerësojnë analistët.

“Me përpjekjet e tyre të njëanshme për të ndryshuar statusquo-në e njohur ndërkombëtarisht, aktivistët e organizatës nacionaliste-fetare Temple Mount dhe qeveria izraelite që i mbështet ata, paraqesin rrezik në nivelin lokal, regjional dhe ndërkombëtar”, thotë Nur Arafeh, një studiues i politikës në Al-Shabaka, i njohur si rrjet i politikës palestineze.

Grupet ekstremiste çifute, të cilët kanë marrë emrin në bazë të Malit të Tempullit, kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur mbi qeverinë izraelite për të ushtruar kontroll mbi kompleksin Al-Aksa.

Inkursionet e tyre në rritje në kompleksin e xhamisë, kanë shkaktuar protesta të palestinezëve në gjithë Bregun e pushtuar Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Edhe pse e kanë të ndaluar zyrtarisht të luten atje, ata shoqërohen nga policët kur ndërmarrin ndonjë vizitë tek kompleksi.

Sipas Arafeh, “inkursionet në rritje në kompleksin al-Aksa shfaqin rrezikshmëri për të shkaktuar dhunë dhe gjakderdhje. Dihet se vizitat provokative të ish-kryeministrit të ndjerë, Ariel Sharon aty në vitin 2000 patën çuar në intifadën e dytë”.

Gjatë gjashtë muajve të fundit ka pasur disa pika fërkimi. Në prill, një numër palestinezësh u lënduan nga forcat izraelite, pasi 1 mijë vizitorë hebrenj u futën në kompleks gjatë Pashkëve.

Një përshkallëzim më serioz ka ndodhur gjatë Ramazanit në qershor, kur autoritetet izraelite u akuzuan nga zyrtarët e Waqf-it për “pengimin e agjëruesve në konsumimin e iftarit”.

Situata u përshkallëzua edhe më keq, kur forcat izraelite përmbysën një ndalesë që është në fuqi për një kohë të gjatë tashmë, atë të hyrjes së jo-muslimanëve gjatë 10 ditëve të fundit të Ramazanit. Vizitat e kolonëve izraelitë dhe grupeve tjera shkaktuan konfrontime, që për pasojë patën disa palestinezë të plagosur në kompleks.

Mustafa Abu Sway, zyrtar në Xhaminë e Shenjtë Al-Aksa dhe Universitetin Al-Quds, thotë se “është shtuar dukshëm keqtrajtimi i besimtarëve në të gjitha portat e xhamisë. Ka një listë prej 62 grash muslimane të cilave u ndalohet hyrja në xhami, dhe numër i panjohur meshkujsh të cilët janë të prekur nga e njëjta politikë.”

“Ka shumë prova që dëshmojnë planin e qeverisë izraelite për shkatërrimin e xhamisë dhe për ndërtimin e një tempulli në vend të saj”, thotë Arafeh. /tesheshi.com/