Në seancën që u mbajt para dy ditëve, u dëgjuan katër policë të cilët ishin sulmuar në stacionin e policisë në Goshincë dhe një dëshmitar okular nga Lagjja e trimave.
Të akuzuarit ngarkohen për “terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Në fillim të procesit gjyqësor të akuzuarit u deklaruan se janë të pafajshëm dhe mbrojtja kërkoi që rasti të merret nga Prokuroria speciale publike. Gjykatësi u përgjigj se lënda do t’i dorëzohet kësaj prokurorie nëse prej atje gjykatës i arrin një kërkesë e tillë.
Prokuroria pohon se “sulmi në Lagjen e trimave ka qenë mirë i organizuar, ndërsa të akuzuarit kanë vepruar me paramendim të drejtpërdrejtë”.
Më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar në Lagjen e trimave në Kumanovë, një grup i armatosur u ndesh me forcat e sigurisë. Në këmbimin e zjarrit jetën e humbën tetë policë nga njësitë speciale të MPB-së dhe dhjetë persona nga grupi i armatosur, ndërsa rreth 14 policë tjerë u lënduan rëndë.