Vështirë për Shkëndijën e Partizanin, por nuk do të dorëzohen

0
424

Shkëndija do të ketë punë të vështirë në fazën e “Play-Off-it” për Europa League. Klubi i madh shqiptar nga Maqedonia kualifikimin në fazën e grupeve të Europa Leagues do ta kërkojë përballë ekipit të fortë belg, Gentit. Nënkampioni i Belgjikës konsiderohet favorit, por nënkampioni shqiptar i Maqedonisë synon t’i bëjë sërish krenarë gjithë shqiptarët. Edhe Partizani i Tiranës do të ketë punë me ekipin e fortë rus, Krasnodar, raporton “Zëri”.

Shorti i përcaktimit të çifteve të fazës së “Play-Off-it” për Europa League ishte i pafat për Shkëndijën. Kjo pasi klubit të madh shqiptar nga Maqedonia i ka rënë hise një kundërshtar shumë i fortë.

Skuadra kuq e zi do ta kërkojë kualifikimin në fazën e grupeve të Europa Leagues përballë ekipit të fortë belg, Gentit. Padyshim, Genti konsiderohet favorit i madh për dy duelet që e presin me ekipin shqiptar. Këtë më së miri e konfirmon fakti se kjo skuadër është nënkampione e Belgjikës, ndërsa edhe sivjet konsiderohet kandidate për titull të kampionit në shtetin e vet.

Sidoqoftë, nënkampionia shqiptare e Maqedonisë nuk do t’i presë e dorëzuar dy përballjet vendimtare me Gentin. Kuqezinjtë kanë ekip të fortë, janë nënkampionë të Maqedonisë, ndërsa tashmë kanë fituar respekt të madh edhe në Evropë.

Zëri shkruan se këtë më së miri e tregon ecuria e Shkëndijës në këto eliminatore për Europa League, ku po i shkruan faqet më të lavdishme të saj. Tetovarët deri më tani kanë shkëlqyer, duke i kaluar tri rrethe, duke mbërri deri në “Play-Off”, ndonëse në vitet e kaluara nuk arrinte ta kalonte as rundin e parë.

Shkëndija e kishte eliminuar në rrethin e parë ekipin Cracovia, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se ekipi Neftchi, për të shkuar në fazën e tretë, ku e eliminoi Mladan.

Pa dyshim, merita të mëdha në suksesin historik të klubit tetovar ka pronari i klubit, Lazim Destani, i cili, që kur e mori në dorë këtë klub me kompaninë e tij “Ecolog”, Shkëndija është ngritur në majat e futbollit maqedonas dhe ka bërë emër edhe në Evropë. Një gjë është e sigurt: Shkëndija nuk do t’i dorëzohet lehtë Gentit. Përkundrazi, do të bëjë çmos që ta eliminojë ekipin belg dhe të kualifikohet në fazë e grupeve të Europa Leagues.

“Ëndrra vazhdon – Shkëndija avancon në ‘Play-Off’ të Europa Leagues.Skuadra jonë e zemrës edhe një herë dëshmoi se ka cilësi të denjë për gara evropiane, gjë që më bën mua, por besoj edhe juve, jashtëzakonisht krenar! Uroj që të vazhdojmë më tej me të njëjtin përkushtim”, ka thënë numri i një i klubit më të madh aktualisht shqiptar, Lazim Destani

Ndeshjet e fazës së “Play-Off-it” do të zhvillohen më 18 e 25 gusht. Ndeshjen e parë me Gentin, Shkëndija do ta zhvillojë në Belgjikë, kurse takimi kthyes zhvillohet në Shkup.

Në anën tjetër, në “Play-Off” të Europa Leagues do të luajë edhe klubi tjetër i madh shqiptar, Partizani.

Ekipin nga Tirana i presin dy sfida mjaftë të vështira. Partizani kualifikimin në fazën e grupeve të Europa Leagues do ta kërkojë përballë ekipit rus, Krasnodar. Ndeshja e parë mes tyre do të luhet në Rusi, kurse takimi kthyes zhvillohet në Shqipëri.

auto_11470397911 (1) auto_21470397914