Data 1 shtator, sivjet në Kosovë nuk do të karakterizohet vetëm me fillimin e mësimit në shkollat fillore dhe të mesme, por në këtë ditë do të protestohet në sheshet e Prishtinës për të kundërshtuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
Më 1 shtator, pra do të mësohet fati i demarkimit të kufirit me shtetit fqinj, por njëherit do të mësohet se kah po shkon Kosova, drejt qetësisë apo drejt një tensionimi të ri të situatës politike e sigurisë në vend.
Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, përmes kreut të saj Visar Ymeri, sot përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se më 1 shtator do të organizohet një protestë gjithëpopullore për të dështuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
“Qeveria e Kosovës është në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore. Nëse zbatohet kjo marrëveshje ia merr Kosovës majat e çmueshme, burime lumenjsh e pasuri tjera. Sot ata që e kanë kapur shtetin me arrogancë po duan ta dërgojnë përpara. Sot po e shpallim datën e 1 shtatorit për protestë gjithëpopullore. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe çdo mjet demokratik”, ka thënë Ymeri.
Kurse, Fatmire Kollçaku, anëtare e Vetëvendosje-s ka thënë se edhe deputetët e Lëvizjes do të protestojnë në sallë gjatë seancës kur do të votohet marrëveshja për Demarkacionin.
Ajo ka thënë se afera “Pronto” është treguesi më i mirë se korrupsioni nuk mund të luftohet nga të përfshirët në përgjimet e fundit.
“Ato tregojnë se ata janë në gjendje të bëjnë pazar me pasuritë e vendit”, ka thënë Kollçaku.
Kollçaku ka theksuar se Vetëvendosje ka tentuar të mbajë një takim me partitë opozitare, AAK-në dhe Nismën, por ka dështuar tentimi i tyre.
“Nevojitet vullnet i të gjitha palëve. Deputetët në protestë brenda sallës do të jenë më 1 shtator. Se si do të protestohet brenda kuvendit do të kuptoni me 1 shtator. Por me çdo formë do të provojmë të ndalim ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë ajo./tesheshi