Krerët e bashkësive islame të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ishin në Hasanbeg për t’i përkrahur dhe për ti ngushwlluar banorët të cilët pësuan viktima por edhe dëme materiale nga vërshimet. Kryetari i Bashkësisë fetare islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi shprehi mirënjohje dhe falënderime për krerët e bashkësive islame të Kosovës dhe Shqipërisë që kishin ardhur sot në Hasanbeg për tu solidarizuar me banorët e kësaj ane. Ai shtoi se ata kishin sjellë me vete edhe ndihma materiale aq sa kishin mundësi për këto banorë.
“Edhe Kryetari i Komunitetit mysliman të Shqipërisëm edhe myftiu Tërnava, sot edhe praktikisht solidarizohen me ne, kanë sjellë mjete që Bashkësia Islame të mundet edhe më tutje të qëndrojë këtu me ju, deri në përfundimin e kësaj fatkeqësie”, tha kryetari Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.
Kryetari i komunitetit mysliman në Shqipëri, Skender Bruça, shprehu ngushëllimet e tija në emër të gjithë popullit të Shqipërisë sepse siç shprehet ai, shqiptarët janë një popull i vetëm, por me degëzime të ndryshme.
“Që në momentet e para që kemi dëgjuar, të gjithë kemi qenë të sensibilizuar. E kemi vuajt me shpirt, sepse jemi një trup i vetëm me degëzime të ndryshme, dhe kur një pjesë e trupit vuan diçka, e ndien i gjithë trupi, e më së shumti i ndien zemra”, tha kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Skender Bruça.
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërrnava tha se dhimbjen e asaj nate e kanë ndjerë po aq sa banorët e Hasanbegut dhe se ndjehen tejet të prekur nga ndodhia që kaploi këtë pjesë.
“Ajo natë që kjo pjesë e trupit tonë u godit nga një stuhi e papritur, sigurisht që shkaktoi dhembje edhe tek vëllezërit tuaj në Kosovë, dhe besoj që anekënd trojeve tona etnike shqiptare e kanë ndier dhe e kanë bashkë-ndarë edhe me të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që jetojnë në këtë pjesë”, tha myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërrnava.
Krërët e bashkësive islame të këtyre tri vendeve, urojnë banorët e Hasanbegut që shtëpitë e tyre të rikuperohen sa më shpejtë, që të ju rikthehen vendbanimeve të tyre dhe urojnë që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten.
Emine Ismaili /SHENJA/