Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori norvegjez, Jan Braathu, ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ka vizituar një qendër të grumbullimit të votave, në kuadër të procesit të zgjedhjeve presidenciale serbe.
Braathu, pas vizitës, e ka cilësuar procesin si të rregullt dhe pa probleme.
“Kam ardhur që të shoh se si janë duke shkuar gjërat, dhe nga ajo që pashë, gjithçka është në rregull dhe normale. Situata është e qetë, njerëzit po vijnë dhe kjo është mirë. Ne po shohim shumë njerëz që po vijnë dhe po kryejnë obligimin dhe të drejtën e tyre dhe nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të jemi të lumtur”, tha Braathu.
Ai tha se misioni do ta kryejë këtë proces në bazë të marrëveshjeve me institucionet e Prishtinës.
Në bazë të njoftimeve të misionit të OSBE-së në Kosovë deri në orën 18 është shënuar një pjesëmarrje prej 32.57 për qind e qytetarëve serbë me të drejtë vote.
Qytetarët serbë që kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, megjithatë kanë shprehur dyshimet e tyre se zgjedhjet mund të sjellin ndonjë ndryshim.
“Nuk di a do të ketë ndryshim drastike. Nuk do të mund të ndodhin ndryshime të mëdha. Vetë fushata elektorale ka treguar sa a mund dikush nga Beogradi të ndikojë në Prishtinë”, tha Goran Markoviq nga Mitrovica e Veriut.
Zgjedhjet presidenciale serbe po zhvillohen në territorin e Kosovës sipas një marrëveshjeje të arritur me misionin e OSBE-së dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.
Një ditë para zgjedhjeve, kryeministri Isa Mustafa tha se “ po vazhdon praktika e mëhershme e votimeve për qytetarët me dy shtetësi”.
Qendrat e grumbullimit, siç i ka cilësuar OSBE-ja, janë hapur përveç Mitrovicës veriore, edhe në Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë, pra në 20 lokacione – 4 qendra dhe 16 degë.
Autoritetet e sigurisë në veri të Kosovës, thanë se gjendja është e qetë dhe pa probleme.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash policia nuk ka informata për ndonjë incident.
“Në këtë aspekt, situata e sigurisë mund tëthemi se është e qetë, marrë parasysh faktin se nuk kemi asnjë incident të raportuar gjatë ditës sot”, ka deklaruar Hoti.
Mbi 6 milionë e gjysmë qytetarë me të drejtë vote në Serbi zgjedhin, të dielën, presidentin e ri nga 11 kandidatë sa janë regjistruar për garën presidenciale. Presidenti serb zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Serbisë.
Mandati i presidentit aktual serb, Tomislav Nikoliq, përfundon më 31 maj. Zgjedhjet paraprake presidenciale janë mbajtur më 2012 kur Nikoliq fitoi garën përballë kandidatit të demokratëve Boris Tadiq.
Zgjedhjet presidenciale serbe në territorin e Kosovës kanë shkaktuar tensione në mesin e shqiptarëve të cilët nga mesi i javës kanë bllokuar rrugët në, siç kanë thënë, kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve.
Bllokada shkaktoi valën e reagimeve nga BE-ja që kërkoi nga autoritetet në Prishtinë të lirojnë rrugët dhe të mundësojnë fushatën zgjedhore për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Reagoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që e cilësoi bllokadën e rrugëve “bllokim të Kosovës drejt Evropës”. (REL)