WhatsApp vijon të rritet, numëron 700 milionë përdorues aktivë

Aplikacioni i shkëmbimit të mesazheve WhatsApp ka arritur një objektiv tjetër: 700 milionë përdorues aktivë në muaj, të cilët shkëmbejnë 30 miliardë mesazhe çdo ditë.

Drejtori ekzekutiv, Jan Koum, ka publikuar disa statistika përmes një statusi në Facebook, kompani kjo e cila e bleu WhatsApp-in për 22 miliard dollar në tetor të 2014-s.
“Ne po ndajmë një tjetër moment të rëndësishëm për WhatsApp, i cili tashmë numëron më shumë se 700 milionë përdorues aktivë. Për më tepër, çdo ditë përdoruesit tanë dërgojnë mbi 30 miliardë mesazhe”, shkroi Koum.
“Sa më shumë të emocionuar që jemi nga këto statistika, që tregojnë rritjen tonë të vazhdueshme, aq më shumë jemi të inkurajuar të vazhdojmë ndërtimin e një produkti madhështor në 2015”, shton ai.
Rritja e shpejtë e WhatsApp-it ka vazhduar më tej edhe pas blerjes nga Facebook, një marrëveshje e cila u zbulua në muajin shkurt të vitit të shkuar me çmim fillestar prej 19 miliardë dollarë. Procedurat e vonuara bënë që blerja përfundimtare të kryhej në tetor të 2014-s me një shifër relativisht më të lartë sesa ishte përcaktuar më parë prej 22 miliardë dollarë. Objektivi më i fundit i WhatsApp ishte shifra e 600 milionë përdoruesve aktivë në gusht të vitit 2014, kjo do të thotë se që atëherë numri i përdoruesve është rritur 25 milionë çdo muaj.
Veçoria kryesore e zbuluar në 2014-n ishte shtimi i enkriptimit në aplikacionin e saj për Android, duke e bërë shumë të vështirë përgjimin e komunikimit të përdoruesve. Hapat e tjerë në 2015-n mendohet të jenë shitimi i thirrjeve me zë, duke e bërë një konkurrent direkt me shërbime si Skype. Kjo veçori mendohej të hidhej në treg vitin e shkuar, por në tetor të 2014-s u lajmërua se do të shtyhej për në tremujorin e parë të 2015-s për shkaqe teknike.
Bashkëthemeluesi i WhatsApp-it ka qenë i drejtpërdrejt në premtimet e tij, ku më parë kishte thënë se blerja nga ana e Facebook-ut nuk do të ndryshonte principet dhe privatësinë e përdoruesit. Ndër rivalët e tjerë të WhatsApp-it duhet të përmendim edhe aplikacionin Messenger të Facebook, i cili arriti 500 milionë përdorues në nëntor të 2014-s, si dhe aplikacionin kinez WeChat, që arriti 438 milionë përdorues aktivë në gusht të po atij viti.

Artikulli paraprakLimak, investitori më i madh në Kosovë
Artikulli vijuesCionistët torturojnë palestinezët me anë të të ftohtit