Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka treguar për disponimin e Lëvizjes vetëvendosje që ish kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, të kandidojë për postin e Kryeministrit të vendit në zgjedhjet e ardhshme patlamentare.
Në ditën kur VV ka publikuar rezultatet e një sondazhi i cili e nxjerr atë partinë më të votuar në vend, kryetari i partisë tha se “do të ishte mirë” që Kurti të kandidojë për ta drejtuar qeverinë.
Në rast të kandidimit të Kurtit, Vetëvevendosje do të bëhej partia e parë në Kosovë që nuk del në zgjedhje me drejtuesin e parë si kandidat për shef të qeverisë.
“Deputeti Albin Kurti në shumë sondazhe jo vetëm elektronike por edhe kështu, del të jetë figura më e popullarizuar politike brenda Republikës së Kosovës, krahasuar me gjithë tjerë, jo veç brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe mendoj që kjo është shumë mirë dhe është një veçori e Lëvizjes Vetëvendosje që ka një mori emrash që kanë një popullaritet dhe besueshmëri të tillë tek qytetarët”, tha Ymeri në një intervistë për KALLXO.com.
Por për të arritur deri te kandidatura, Ymeri tha se duhet të vendosin organet e partisë.
“Mendoj që po, ka mundësi që të bëhet edhe vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të ishte shumë mirë nëse bëhet kështu. Pra nuk po them që do të ishte keq nëse bëhet me emra të tjerë, por po them që edhe nëse bëhet me Albinin do të ishte shumë mirë sepse Albin Kurti e ka edhe një përvojë të jashtëzakonshme politike e organizative dhe një vizion jashtëzakonisht të saktë dhe pozitiv për atë se çfarë duhet të ndodhë në Kosovë dhe si duhet fuqizuar Republikën e Kosovës. Albin Kurti është një prej personave që e ka materializuar dhe e ka avancuar këtë koncept politik jashtëzakonisht shumë”, u shpreh ai.