Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po vazhdon të qeverisë me metoda sunduese. Kurse për kryetarin e Kuvendit, i cili është edhe kryetar i PDK-së Kadri Veselin tha se, ai i kërcënoi me jetë aktivistët e Vetëvendosjes.
Këto komente Ymeri i ka bërë dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, duke thënë se edhe pak ditë bëhen një vit që Qeveria sundon me metoda sunduese.
Ymeri shtoi se sot aktivistët e Vetëvendosjes mbahen në burg me akuzën për “Terrorizëm” dhe me asnjë dëshmi e provë, por vetëm se janë aktivistë të Vetëvendosjes.
“Premtonin se do të integrohen serbët e Kosovës, se do të na njohë Serbia, se do të ketë liberalizim të vizave, do të pranohemi në Bashkimin Evropian. Asnjëra nuk u bë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, tha ai, shkruan Zëri.
Më 27 tetor, sipas tij, regjimi i Kadri Veselit i kërcënoi hapur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje me jetë “me fjalinë e famshme të tij për vetëvrasje”.
“Nuk pati asnjë tërheqje e as pendesë nga ai për këtë fjalë. Ky pra ishte kërcënim me paramendim. Tamam sikur regjim i nëntokës. Se regjimi domosdoshmërisht një pjesë të punës e kryen në fshehtësi. Nga nëntoka. Natën. Sepse nuk i duron kundërshtarët politikë. Nuk i do ata të jenë”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, për Vetëvendosjen pikësynim është mirëqenia e qytetarëve. Ai u ka bërë thirrje aktivistëve që ta forcojnë Republikën dhe ta luftojnë krimin e organizuar.
Ymeri theksoi se Lëvizja Vetëvendosje po kuptohet drejt dhe sot është subjekt politik që ka shumë gjasa të jetë subjekti i parë.
Ymeri ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë, i cili, sipas tij, është ndërprerë bashkë me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ai thotë se Qeveria nuk e ka mbështetjen e popullit për vazhdimin e dialogut, si dhe jetësimin e marrëveshjeve si Demarkacioni dhe Asociacioni.