Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës ka folur fjalë të rënda për kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.
Sipas tij tash e sa kohë vendi po përballet me dy lloj uzurpimesh.
“Regjimi i koncensionarëve me ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Vendi që duhet të ishte Republikë e qytetarëve u shndërrua në plaçkë të qytetarëve. Kemi parë lirime të pronave të uzurpuara e që ështe hajni e popullit të Kosovës. Çlirimi i pronave te uzurpuara është i domosdoshëm por krimi luftohet nga koka e jo nga bishti e krimin e kemi në krye të Kuvendit”, tha Ymeri.
Sipas tij Veseli po paraqitet se po e shpëton Kosovën, i cili siq tha ai “koka e SHIK-ut që e ka kapur Kosovën po paraqitet si shpëtimtari”.
Ai ia ka përmendur edhe fondin e 3 përqindëshit që është udhëhequr nga Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa.
“E vërteta e plotë e Kosovës së pasluftës është 3 përqindëshi. Vjedhja e Isës dhe Kadrisë me shokë është kjo kokë kriminelësh që duhet luftuar dhe ndalur. Kriminelët nuk do të fitojnë”, tha Ymeri.