Zaev tha se ende nuk i ka siguruar 61 mandate për të formuar shumicën, por shprehu bindje se do të arrijë ta bëj atë
Lideri i opozitës maqedonase, Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në një konferencë për media deklaroi se pret që presidenti i vendit t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi që VMRO-DPMNE e cila ishte parti fituese në zgjedhjet e fundit nuk arriti marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për koalicion në përbërjen e Qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Zaev tha se ende nuk i ka siguruar 61 mandate për të formuar shumicën, por shprehu bindje se do të arrijë ta bëj atë. Ai shtoi se do të formojë një qeveri që do të sigurojë interesat strategjike të qytetarëve të Maqedonisë, siç tha ai, për të ecur drejt integrimit euro-atlantik.
“Pres që Gjorge Ivanov të më jep mandatin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë. Të gjitha opsionet e tjera janë shkelje e Kushtetutës dhe shpërdorim i detyrës. Për të gijthë opinionin vendas dhe ndërkombëtar tashmë 50 ditë është e qartë, nga dita e zgjedhjeve, se qytetarët zgjodhën ndryshimin”, deklaroi lideri i opozitës maqedonase.
Në pyetjen se cili është qëndrimi i tij në lidhje me platformën shqiptare të arritur mes subjekteve politike shqiptare në vend, Zaev tha se ata si parti kanë një qëndrim të qartë, por do të njoftojnë pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë së re.
“Pas të gjithave mund edhe ta vëreni, ne përkrahim një shoqëri për të gjithë. Qëndrimi ynë është qytetari në qendër të vëmendjes në qeverinë e re. Nga këtu, ne jemi plotësisht pozitiv në lidhje me këto aspekte dhe sa më parë të marrim mandatin, do të jemi tranparent për të gjithë qytetarët”, tha Zaev.
Ndërkohë, nga kabineti i presidenti Ivanov njoftojnë se presidenti pret njoftimin zyrtar nga Kuvendi, pas çka do të fillojë me konsulltime me institucionet kompetente dhe partitë politike.
“Duke pasur parasysh skadimin e afatit të caktuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i obliguar ta njoftojë presidentin nëse mandatari ka parashtruar program dhe propozim për përbërje të Qeverisë së re”, thuhet në qëndrimin e presidentit Ivanov.
Poashtu, edhe Bashkimi Evropian (BE) reagoi duke theksuar se tani pritet që presidenti Ivanov të realizojë konsultim urgjent me forcat politike në vend dhe të caktojë lider për formim të “qeverisë sa më të gjerë të mundur”.
Siç njofton agjencia shtetërore e lajmeve MIA, zëdhënësja e Qeverisë joformale të BE-së, Maja Kocijançiq, paralajmëroi se “vendi nuk ka kohë për të humbur”. Ajo apeloi deri tek të gjithë aktorët në Maqedoni, përfshirë edhe presidentin e vendit, të veprojnë në mënyrë të qetë dhe konstruktive me përgjegjësi të plotë për zgjidhje të situatës aktuale.
“Një koalicion i këtillë duhet të jetë sa më i gjerë që mundet dhe të mbështetet në konsensus inkluziv reformues dhe bashkëpunim ndëretnik. Presim nga Qeveria e ardhshme dhe nga të gjitha forcat politike në vend të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjës së Përzhinës dhe zgjidhjen e prioriteteve urgjente reformuese”, ka deklaruar Kocijançiq.
Ndryshe, afati për formimin e qeverisë së re skadoi në mesnatë, pasi që më 9 janar të këtij viti presidenti Gjorgje Ivanov ia ndau mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht partisë e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vota.
Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme paralamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, VMRO-DPMNE-ja arriti të fitojë 51 mandate, pastaj LSDM-ja 49, BDI-ja 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 mandate.