Gjermania paralajmëron Turqinë për dënimin me vdekje

Gjermania ka paralajmëruar Turqinë se në rast të kthimit të dënimit me vdekje, do të mbyllen diskutimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo deklaratë e Berlinit zyrtar vjen pasi Erdogan deklaroi se ekziston mundësia që në Turqi të kthehet dënimi me vdekje, pas përpjekjes më 15 korrik të një pjese të ushtrisë për grusht shteti.

Presidenti turk reagoi ndaj një kërkese që bëhej nga turma e njerëzve që merrte pjesë në varrimin e disa prej viktimave që u vranë gjatë përballjes me pjesëtarët e ushtrisë që tentuan marrjen e kontrollit mbi shtetin. “Ne duam rikthimin e dënimit me vdekje”, ishte thirrja e turmës që merrte pjesë në ceremoninë e varrimit.

Lideri turk u shpreh se në demokraci merret për bazë vullneti i popullit dhe ndaj shprehu mbështetje për një aprovim të mundshëm të dënimit me vdekje. Erdogan tha se qeveria do të diskutojë këtë propozim edhe me partitë opozitare.

Turqia e ka hequr dënimin me vdekje nga Kushtetuta në vitin 2004, si një kërkesë nga ana e BE-së, dhe nuk ka ekzekutuar asnjë të dënuar që nga viti 1984. Dënimi me vdekje u kërkua për mbi 6 mijë persona, të cilët morën pjesë në grushtin e shtetit, me qëllimin final për të rrëzuar presidentin Erdogan.

Artikulli paraprak370 shqiptare nga Lugina e Presheves te gatshem te jene ushtare te Erdoganit te mbrojte Turqine
Artikulli vijuesErdogan: Do ta kthej dënimin me vdekje në Turqi njejt si në Amerikë