Zbehje e optimizmit 9 vjet pas pavarësisë

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 9 vjet më parë, pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në komuna dhe zona të ndryshme, vlerësojnë se nuk janë shënuar ndryshime domethënëse në jetesën e tyre.

Fshati Zhazhë i komunës së Zveçanit ka rreth 40 shtëpi, të banuara me shqiptarë. Më tutje, fillojnë fshatrat e banuara me serbë, në këtë komunë veriore të Kosovës, e cila është me shumicë serbe.

Banorët e Zhazhës thonë se edhe pas 9 vitesh nga shpallja e Kosovës shtet, jetojnë të varfër dhe me frikë. Nezir Peci, banor i fshati Zhazhë, shprehet i zhgënjyer, siç thotë ai, me mosinteresimin e institucioneve për banorët e këtij fshati.

“Neve askush nuk është duke na e ngjitë dorën. Kush mund të jetojë, le të jetojë. Kush nuk mundet, le të vdesë”.

Rruga e asfaltuar dhe një shtëpi shëndeti janë të vetmet investime të deritashme nga shteti në fshatin Zhazhë, thonë Baki Peci, infermier në Shtëpinë e shëndetit në Zhazhë.

“Në përgjithësi duke e marrë, po flas për pjesën veriore, nuk mundem me thanë se ka ndryshuar shumë. Mirëpo neve na mbetet, krejt popullit shqiptar, ta vazhdojmë punën, sepse edhe këtu është Kosovë. Duhet të vazhdohet që edhe kjo popullatë, do të thotë, në këto fshatra që shihen, që t’i gëzojnë ato të drejta që i takojnë, si qytetarë”.

Rreth 12 kilometra nga Zhazha e Zveçanit, gjendet komuna e Mitrovicës veriore e banuar me shumicë serbe. Pavarësisht se në këtë komunë ekziston qeverisja lokale sipas sistemit të Kosovës, serbët lokal refuzojnë ta njohin shtetin e Kosovë edhe 9 vjet pa shpalljes së tij. Këtë e pohon edhe Ivan Drashkoviq nga Mitrovica e veriut.

“Këdo që e pyesni këtu se a e pranon pavarësinë e Kosovës, kurrë nuk do të thotë se e pranon”.

Dragana Jevtiq, po ashtu ngaMitrovica e veriut vlerëson se pavarësisht rrethanave, mund të jetohet normalisht në këtë komunë.

“Në 3 apo 4 vjetët e fundit e më shumë, nuk kemi probleme me shqiptarët. Është ashtu, mesatarisht. Nuk kemi asgjë probleme të veçanta. Mund të jetohet normalisht”.

Fshati Baçkë i komunës së Dragashit,gjendet në skajin juglindor të Kosovës. Aty dikur jetonin rreth 100 familje të komunitetit goran. Tash është gati se tërësisht i braktisur dhe aty jetojnë vetëm 3 familje.

Zikrija Mehmedoviq, përfaqësues i fshatit Baçkë, thotë se dora e ndihmës së shtetit, përveç rrugicës së shtruar me kubëza betoni, nuk vërehet në 9 vjetët e fundit.

“Ja çka ka ndodhur. Asfaltin e kemi marrë dhe ato kubëza betoni. Këtë duhet ta themi sepse është realitet. Ndryshime të tjera, nuk kemi hetuar. Unë kam mbetur këtu, sepse punoj dhe puna më ka mbajtur këtu”.

Në pjesën perëndimore të Kosovës, në komunën e Mamushës, ku komuniteti shumicë është ai turk, ekziston perceptimi se edhe pas 9 vitesh nga shpallja e pavarësisë, nepotizmi mbetet problem i patejkalueshëm. Kështu thotë edhe Agim Mazreku nga Mamusha.

“Këtu pa diploma po hyjnë punë. Pse? Krahun e fortë. Ka hy aty nipi, daja. Po e marrin çikën e dajës, çikën e hallës. E ne ku të shkojmë?”.

Zhgënjyese e përshkruan situatën, 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit, edhe Isuf Ferati nga qyteti i Ferizajt, i banuar me shumicë shqiptare.

“Para 9 vjetësh ka qenë një gëzim i papërshkrueshëm, kurse tash është një zhgënjim i papërshkrueshëm me udhëheqjen. Pse? Korrupsioni, keq-menaxhimi, gjërat e këqija, papunësi e madhe. Pushtetin e kanë për vete, për popull nuk janë duke u interesuar”.

Të gjithë këta qytetarë të Kosovës nuk besojnë se në një të ardhme të afërt mund të ketë ndryshime pozitive në jetët e tyre.

Artikulli paraprakPastrimin i Fukushimës më i vështirë se sa parashikohejPak para se të prishej roboti ka pasqyruar disa pamje nga reaktori, ndërsa ai nuk arriti të pasqyronte gjendjen e lëndës djegëse e cila do të luaj një rol të rëndësishëm për pastrimin e mbetjeve në të
Artikulli vijuesPër nder të pavarësisë, xhumaja në podujevë falet më plisa të bardhë