Zbulohet një tjetër magazinë për kultivimin e bimëve narkotike në Gjirokastër.
Policia e këtij qyteti, në bashkëpunim me sektorin e Narkotikëve, bënë të mundur zbulimin e magazinës që ndodhej në zonën “Industriale”, ndërsa ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët kishin marrë me qera këtë objekt.
Bëhet fjalë për dy vëllezërit me inicialet T. V, 38 vjeç dhe H.V, 47 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
Sipas policisë, ata kishim marrë një magazinë me 6 dhoma të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të llampave elektrike.
Në këto dhoma u gjetën dhe u sekuestruan 28 thasë plastike me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sattiva.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale paisje elektrike për ngrohje si dhe 16 filtra për filtrimin e ajrit, pajisje ventilimi, 100 llampa, si dhe paisje të tjera ndihmëse të ishin në funksion të rritjes së bimës narkotike.
Policia bën me dije gjithashtu se është konstatuar se vëllezërit në fjalë vidhnin edhe energjisë elektrike.
Mbi dy vëllëzërit rëndojnë veprat penale e “Përdorim të paligjshëm të teknologjisë së lartë”, “Prodhim dhe shitje a narkotikëve” si dhe “Vjedhje të energjisë elektrike”.
Ndërkohë 1.2 kg kokainë është sekuestruar nga policia e Durrësit, teksa ka goditur një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të drogës. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është vënë në pranga edhe poseduesi i drogës.
Gentian Lulja, 36 vjeç nga Tirana është arrestuar në portin e Durrësit. Gjatë kontrollit në vijën e dytë të mjetit të tij tip Skoda, me targë AA 529 NJ, poshtë levës së marshit, iu gjet dhe iu sekuestrua sasia e lëndës narkotike.