Zeqirija Ibrahimi fton aktivistët e Lëvizjes BESA që të përmbahen nga fjalori fyes, ofendues dhe vulgar
Meqë ditëve të fundit po ashpërsohet beteja virtuale në rrjete sociale, kam vërejtur se në disa raste edhe profile që mbajnë logon ose emrin BESA nuk ngurrojnë të polemizojnë me gjuhë aspak të hijshme dhe dinjitoze për komunikimin publik ndërshqiptar. Vërtet disa aktivistë të partive të tjera nuk përmbahen nga fyerje të tilla, por kjo në asnjë rast nuk na ka hije neve. Megjithëse është e vërtetë se shumë funksionarë të partisë shqipfolëse në pushtet meritojnë një ditë e më parë të përjashtohen nga skena, për këtë duhet ta presim 24 prillin 2016.
Deri atëherë i lus publikisht të gjithë aktivistët e Lëvizjes BESA që të përmbahen nga fjalori fyes, ofendues dhe vulgar ndaj çfarëdo fyerjeje të cilësdo parti ose përfaqësuesi të partive të tjera politike, e aq më shumë jam kundër secilës fyerje ndaj analistëve dhe gazetarëve që mund të kenë mendim ndryshe nga ne. Për mua secili që mban profilin me BESA ose me logon e BESËS dhe përdor këso fjalori dhe zhvillon komunikim të tillë, është armik i BESËS që fshihet nën atë emër dhe nën atë emblemë.
Aktivistët e vërtetë të BESËS dallohen edhe për nga gjuha me të cilën komunikojnë. Ne do t’i fitojmë kundërshtarët tanë politikë në zgjedhje, por në asnjë rast nuk lejojmë t’i fyejmë në baza personale, familjare ose të tjera. Ne kemi respekt për ata si njerëz, si shqiptarë dhe si familjarë. Kush mendon ndryshe, nuk është ME BESË. Ndërkaq të jesh ME BESË, ky është dallimi!