Iljasa Salihu
Politikanët tanë, paaftësinë e tyre e mbulojnë përmes fuqisë së pushtetit. Ata premtojnë ngopje dhe mirëqenie, mirëpo në të vërtetë sjellin uri dhe lemeri. Ata në djallëzitë e tyre jenë shumë të suksesshëm. Të mirat materiale ia rrëmbejnë qytetarit, duke pasur për qëllim që përmes premtimit të kthimit të atyre të mirave ta mbajnë pezull dhe me shpresë të rreme qytetarin. Kësisoj, premtuan, por asnjëherë nuk premtuan se premtimet do t’i zbatojnë. Ata fituan pushtetin përmes bukurisë së premtimeve dhe jo përmes zbatimit të premtimeve. Nuk i zbatuan premtimet, sepse në vazhdimësi duhej të premtonin, sepse nuk ishin krijues të rryer as për sa i përket premtimeve. Zgjatjen e mandatit ia mundësuan vetes përmes kohës së ardhshme “do ta bëjmë” dhe jo përmes kohës së shkuar “kemi bërë”. Pas më shumë se një dekadë pushtet, mendësia e këtyre politikanëve, ende nuk kanë turp të premtojnë për gjëra që qysh në vitin e parë të mandatit të parë do të duhej t’i realizonin.
Për rrjedhojë, doli të jetë e vështirë marrja e pushtetit, sepse mbajtja po del të jetë shumë e lehtë! Jo rastësisht jeta e politikanëve tanë në pushtet është më tepër se një dekadë. Këta shumë më shumë punojnë që ta mbajnë pushtetin, sesa ta arsyetojnë praninë e tyre në pushtet. Një pjesë të parave që do të duhej ta investonin për të mirën e qytetarëve, këta e ndajnë për blerje votash dhe zhvillim të fushatave të shtrenjta parazgjedhore, kurse pjesën tjetër të parave publike e trajtësojnë në para vetjake. Jo rastësisht politikanët tanë janë të pasur, pasuri këtë që assesi nuk mund ta arsyetojnë dhe të përfaqësuarit janë të varfër, varfëri kjo që lehtë mund të argumentohet.
Është e turpshme t’i rifitojnë zgjedhjet ata që të paktën premtimet nuk i realizuan, jo pse nuk mundën, por sepse përmes premtimeve mëtuan ta fshehin një gënjeshtër me të cilën janë mësuar të jetojnë e zhvillohen këta politikanë, edhe pse po i quajte gënjeshtarë, hiqen sikur janë prekur shumë. Është marre të rifitojnë ata që fare nuk treguan sukses, përkundrazi si rrjedhojë e veprimeve të tyre, populli në përgjithësi dukshëm po vuan. Çka t’i bësh popullit; aq shumë e varfëruan, saqë ia vodhën të drejtën për të menduar me kokat dhe zemrat e tyre, krejt kjo si rrjedhojë e kërcënimit të vazhdueshëm të barkut. Popullin e detyruan të mendojë me bark dhe shpinën ia trajtësuan në bark, ngaqë mendja e këtij populli nuk e ka ndërmend të bindet se ia vlen edhe flijimi në shkëmbim të shporrjes së keqbërësve pushtetarë!