Zgjerohet skandali me “punime shkencore”, përfshihen edhe deputetë

Deputetja e LDK-së, Afërdita Berisha – Shaqiri, deputetja e PDK-së, ish-ministrja, Justina Shiroka -Pula dhe dekani i Ekonomikut, Skënder Ahmeti janë ndër ata, që dyshohen se kishin botuar në revista të dyshimta, raporton KTV.

Shumë prej tyre punimet i kanë publikuar në “David Publishing”, që është amerikano-kineze, e cila vetë u shkruan të interesuarve që të botojnë në të, për një shumë që zakonisht është 50 dollarë.

Më shumë se 10 dalin të sigurt në listën që po shtohet, me profesorë universitarë që kanë botuar në revista të rreme shkencore, në shkëmbim parash.
Publikimi në revista që lehtë në internet mund të identifikohen si të rreme, duket të ketë qenë praktikë e zakonshme për Universitetin e Prishtinës.
E, nëse është dikush në LDK-në opozitare që nuk është interesuar fort për debatin rreth krizës në UP, kjo është deputetja Afërdita Berisha – Shaqiri.
Ajo është bashkautore e publikimit: “Teknologjia informative dhe digjitalizimi në tregun ekonomik – dhe konkurrenca”. Këtë, deputetja e ka bërë në revistën “David Publishing”, prodhim amerikano-kinez.
Ky është një punim 9-faqesh nga tre autorë dhe referencat e pakta janë nga një libër shqip, disa raporte të Komisionit Evropian e nga një raport i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Në po të njëjtën revistë ka publikuar edhe Justina Shiroka – Pula, deputete e PDK-së dhe ish-ministre e Energjisë në Qeverinë e Kosovës.
Shiroka – Pula ka publikuar si bashkautore me dekanin e Ekonomikut, Skënder Ahmeti dhe me Venet Shalën punimin: “Rëndësia e investimeve në ndërmarrje të vogla e të mesme – rasti i Kosovës”.
Kërkimet e thjeshta në internet tregojnë se revista amerikano-kineze, kërkon vetëm 50 dollarë për publikimin e një punimi dhe se në fakt ajo vetë u dërgon e-maila individëve të ndryshëm, duke u kërkuar që t’i dërgojnë punimet e tyre.
Ndër ata që kanë publikuar në revista të dyshimta është edhe Safet Merovci, aktualisht pjesë e Këshillit Drejtues të UP-së, organ që e zgjedh rektorin dhe që ka kërkuar nga Senati llogari për ato që po ndodhin.
Në “Asian Journal of Business and Management Sciences” ai ka publikuar bashkë me 4 autorë të tjerë, punimin” Llojet e krizave financiare”.
Skandali më i ri në UP shpërtheu kur “Koha ditore” raportoi se rektori Ibrahim Gashi kishte publikuar në një revistë të rreme indiane dhe se atë gjë e kishte bërë edhe Filan Fisteku.
Që nga ajo kohë kanë vazhduar protestat studentore që kërkojnë shkarkimin e rektorit Gashi, ndërkohë që LDK-ja ka kërkuar debat parlamentar./kohaislame

Artikulli paraprakLëvizja Bashkohu: Paralajmrimet për protesta për këtë javë nuk janë të vërteta
Artikulli vijuesSlloveni, 90000 familje pa energji elektrike për shkak të dëborës