Zjarri në RTK shkatërroi arkivin 1999-2004

Nga zjarri i shkaktuar në ndërtesën e Televizionit të Kosovës pak më shumë se dy javë më parë, është djegur i gjithë materiali i arkivuar deri në vitin 2004.

Burime brenda RTK-së bëjnë të ditur për portalin reporteri.net se i gjithë arkivi i RTK-së qe nga paslufta e deri në vitin 2004 është djegur.

Ky fakt përgënjeshtron thellë dhe bie në kundërshtim me prononcimet e mëhershme të prijësve të televizionit publik, të cilët patën thënë se zjarri kishte djegur vetëm një pjesë të vogël të materialeve të këtij arkivi.

Drejtori i Televizionit, Bekim Hasani, në një deklarate të dhënë Radio Kosovës, pati thënë se ka arritur që pjesa më e madhe e materialeve të arkivuara të shpëtohen. “Aty është edhe një pjesë e arkivit. Dëmet nuk janë shumë të mëdha në arkiv, por për shkaqe sigurie është dashur të ndërpritet energjia elektrike në tërë ndërtesën”, pati deklaruar ai. Ndërkohë, duke pasur parasysh zhvillimet politike në mes të viteve 99 dhe 2004, del që materiali i shkatërruar përbën një pjesë të veçantë të këtij arkivi dhe një fakt i tillë shqetësues nuk është bërë i ditur për opinionin.

Disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë patën akuzuar menaxhmentin e këtij transmetuesi publik se ia ka vënë flakën qëllimisht për të fshehur keqpërdorimet e krijuara më parë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, pas hetimeve e kryera, ka konstatuar se ky zjarr ishte i paqëllimshëm.kohaislame

Artikulli paraprakBurundi njeh Republikën e Kosovës
Artikulli vijuesBizneseve të huaja u kërkohet haraç