Zv.kryeministri turk: Nëse nuk e bën OKB-ja, Gazën e rindërtojmë ne

Zv/kryeministri turk, Numan Kurtulmus, ka reaguar sot ndaj vendimit të UNRWA-së në lidhje me pezullimin e ndihmave për familjet, që u janë shkatërruar shtëpitë në sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës, për “mungesë fondesh”.

 

“Ky është një standard i dyfishtë. Nëse nuk e bën OKB-ja, atëherë Gazën e rindërtojmë ne”, është shprehur zv/kryeministri turk, Numan Kurtulmus, duke i dërguar shoqërisë ndërkombëtare mesazhe shumë të qarta.

Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) kishte deklaruar se janë mbledhur vetëm 135 milionë dollarë nga gjithsej 724 milionë dollarë, që ishin kërkuar në konferencën e donatorëve në kryeqytetin Kajro të Egjiptit, për rindërtimin e Gazës.

Në këtë komunikatë, UNRWA-ja paralajmëron gjithashtu se familjet palestineze, shtëpitë e të cilave nuk do të rindërtohen për shkak të mungesës së fondeve, mund të detyrohen për një valë të re emigracioni.

Rreth 15 mijë palestinezë, të cilëve u janë rrënuar banesat gjatë operacionit ushtarak 51-ditor, që Izraeli ndërmori kundër Rripit të Gazës duke filluar nga data 7 korrik 2014, përpiqen ende të mbijetojnë në shkollat e OKB-së.

Sulmet në fjalë të ushtrisë izraelite kundër Gazës shkaktuan vdekjen e të paktën 2 mijë palestinezëve, plagosjen e mbi 11 mijë të tjerëve dhe dëmtimin e rreth 92 mijë ndërtesave.

Artikulli paraprakBE rrit dozën e sanksioneve ndaj Rusisë
Artikulli vijuesÇfarë është riciklimi? Çfarë mund të riciklojmë?