Pasditen e së martës në fshatin Kozhle në Shkup një aeroplan është gjetur i djegur.
Bëhet fjalë për aeroplanin që vinte nga Trevizo, Itali dhe i cili ishte zhdukur në afërsi të Shkupit.
Nga kjo fatkeqësi raportohet se kanë humbur jetën gjashtë persona, ku ndër ta sipas mediave u tha se ishin dy shtetas kosovarë.
Një gjë të tillë e kishte konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni nëpërmjet Drejtorit për Siguri Publike, Mitko Çavkov i cili tha se nga aeroplani i rrëzuar në rrethinë të Shkupit ka pasur të vdekur dy shtetas të Kosovës dhe katër nga Italia.
Po ashtu mediat raportuan se dy viktimat nga Kosova ishin vëllezër F.B dhe V.B nga Malisheva.
Mirëpo një gjë e tillë më pas u demantua pasi që u tha se shqiptari i vetëm nga Kosova që ka mbetur i vdekur nga rrëzimi i aeroplanit është V.B nga Malisheva
E një gjë e tillë e ka konfirmuar edhe vetë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vetëm një shtetas kosovarë ka ndërruar jetë nga rrëzimi i aeroplanit në Shkup.
“Zyrtarisht sipas ambasadës sonë vetëm një shtetas i Kosovës ka vdekur”, ka thënë Hoxhaj.
Për këtë fatkeqësi, fillimisht njoftuan banorët lokal të cilët kanë dëgjuar eksplodim dhe kanë parë flakë, ndërkaq zhdukjen e aeroplanit nga radarët e ka paraqitur në MPB Kontrolli për fluturime në aeroportin e Shkupit./Telegrafi/