Duhani është një nga llojet më të përhapura të drogave “të lejueshme” nga ligjet e shtetit, por i ndaluar nga ligji islam. Tymi i duhanit është i përbërë nga rreth 4,000 substanca kimike, 43 nga të cilat shkaktojnë kancer.
Tri nga substancat e pranishme tek duhani dhe që shkaktojnë dëme në organizëm janë: Nikotina, Monoksidi i Karbonit dhe Katrani. Këto dëme godasin të gjitha grupmoshat, por dëmi duhet evituar në kohën kur shumica hynë në rrugën e gjatë të dëmtimit të vetes, në kohën e adoleshencës.
Nikotina është substancë që gjendet tek duhani. Ajo:
• Krijon varësi të fortë;
• Thithet nga mukozat dhe lëkura;
• Rruga e kalimit të saj në organizëm është: hundë-grykë-bronke-mushkëri-gjak-zemër-tru.
Nikotina dëmton organizmin tonë duke:
• Irrituar membranën mukoze duke shkaktuar kollë;
• Ngushtuar enët e gjakut duke rritur presionin e gjakut;
• Shpeshtuar frymëmarrjen duke sjellë çrregullime në organizëm;
• Rritur sekrecionet acide të stomakut duke shkaktuar ulçer peptike dhe gastrit;
• Shkaktuar sëmundje që çojnë pacientin në vdekje si p.sh.: kanceret e gjuhës, laringut dhe ezofagut si dhe sëmundjet kronike të mushkërive.
Monoksidi i Karbonit:
Gjendet në letrën e cigares;
• Kur futet në organizëm ndikon duke përkeqësuar funksionimin e zemrës dhe të sistemit nervor duke ulur aktivitetin e trurit;
• Vështirëson transportimin e oksigjenit në qelizat e organizmit duke shkaktuar lodhje.
Katrani:
• Përmban substanca kancerogjene;
• Acaron rrugët e frymëmarrjes duke shkaktuar kollë;
• Ndikon tek dhëmbët dhe në pjesën e lëkurës së gishtave e thonjve duke u dhënë ngjyrë të verdhë.
Ka nga ata persona që mendojnë se pirja e cigareve për të cilat thuhet se përmbajnë pak nikotinë, është një mënyrë më pak e dëmshme për organizmin. Në të vërtetë dëmtimi që shkakton duhani është përsëri i pranishëm.
Në ambientin që na rrethon si p.sh: në familje, shkollë, kinema, lokal, autobuz etj. ka shumë persona të tjerë të cilët nuk e konsumojnë duhanin. Këta persona e thithin në mënyrë pasive duhanin e pirë nga të tjerët, gjë e cila shkakton dëm në organizmin e tyre, sidomos tek fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët me astma.
Ndoshta mund të mendosh se të jesh ndër ata që pijnë duhan:
– Dukesh i rritur dhe sikur ndjek modën
– Tregon që je i pavarur
– Qetëson nervat
– Të ndihmon të kesh një peshë të vogël trupore
– Të pëlqen ndjesia kur konsumon duhan
Ti je akoma i ri dhe mendon…
– Duhani nuk shkakton kaq shpejt dëme tek unë!
– Nuk mund të bëhem i varur kaq shpejt!
– Jam ende i ri dhe i fortë!
E vërteta është se:
– Shëndeti yt dëmtohet; dhe
– Bëhesh në fakt i varur nga duhani.
Të lësh duhanin-një sakrificë që duhet të bëhet sepse…
• Përmirëson shëndetin tënd
• Përmirëson pamjen tënde
• Përmirëson situatën tënde financiare
• Bëhesh një shembull i mirë për familjen dhe shoqërinë