10 parimet e suksesit në dritën e jetës së Profetit a.s

– Meulana Khan

Është fakt më se i mirënjohur se Profeti i Islamit është njeriu më i suksesshëm në histori. Por ai nuk ishte thjesht një hero, siç e ka quajtur Tomas Carlyle. Sipas Kur’anit ai ishte shembulli më i mirë për të gjithë njerëzimin. Ai na tregoi rrugën e arritjes së suksesit në këtë botë.
Bazuar në studimin e jetës së Profetit a.s ne mund të përpunojmë dhjetë parime të rëndësishme të cilat ai i ndoqi gjatë jetës së tij. Thënë shkurt, Profeti a.s ishte një mendimtar pozitiv në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjitha veprimet e tij ishin të orientuara nga arritja e rezultateve. Ai asnjëherë nuk ndërmerrte hapa të cilët mund të rezultonin kundërproduktivë.

Parimi i parë: T’ia nisësh nga më e mundshmja.

Ky parim shpjegohet bukur në një thënie të Aishes r.a. Ajo thotë: “Çdoherë që Profetit a.s i duhej të zgjidhte mes dy mundësive të ndryshme ai vendoste të ndiqte rrugën më të lehtë.” (Buhariu) Të zgjedhësh rrugën më të lehtë do të thotë t’ia nisësh nga ajo që është më e mundshme. Ai që ia nis nga më e mundshmja është më i sigurt në arritjen e qëllimit të tij.

Parimi i dytë: T’i shndërrosh disavantazhet në avantazhe.

Gjatë periudhës mekase Profeti a.s u përball me shumë vështirësi dhe probleme. Në këtë kohë atij iu shpall një ajet udhëzues. Ajeti thote: “Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.” (94:5) Ky ajet nënkupton se çdo vështirësi shoqërohet njëkohësisht edhe nga mundësi të shumta. Rruga drejt suksesit arrihet nëse përqendrohemi tek mundësitë duke mos i harxhuar energjitë me problemet.

Parimi i tretë: Ndryshimi i vendit të veprimtarisë.

Ky parim mund të arrihet nga studimi i Hixhretit. Hixhreti nuk ishte thjesht migrimi nga Meka në Medinë, por ishte një përpjekje për të gjetur një vend më të përshtatshëm për ecurinë e veprimtarisë Islame, sikurse edhe historia e mëpasshme dëshmon.

Parimi i katërt: T’i shndërrojmë armiqtë në miq.

Profeti a.s ishte vazhdimisht objekt sulmesh dhe kundërshtish nga pabesimtarët. Kur’ani e udhëzoi atë ta kthente të keqen me të mirë. Një ajet Kur’anor shprehet: “Do të shikosh armiqtë e tu më të egër të shndërrohen në miqtë e tu më të ngushtë.”(41:34) Kjo do të thotë që pasimi i të keqes me të mirë është mënyra më e mirë për të mposhtuar armiqësinë dhe për të fituar zemrat e armiqve. Jeta e Profetit ofron dëshmi të shumta historike për vërtetësinë e këtij parimi.

Parimi i pestë: Të shfrytëzosh çdo situatë për mirë.

Pas betejës së Bedrit, forcat muslimane zunë rob rreth 70 pabesimtarë. Ata ishin njerëz të edukuar. Profeti a.s deklaroi se çdokush prej tyre që do t’i mësonte shkrim dhe këndim dhjetë fëmijëve muslimanë do të fitonte lirinë. Kjo ishte shkolla e parë në historinë islame dhe e veçanta e saj ishte se të gjithë nxënësit ishin muslimanë ndërsa të gjithë mësuesit pabesimtarë. Këtu dëshiroj të citoj një orientalist britanik që ka shkruar se: “Profeti i Islamit arriti ta përballonte armiqësinë përmes vendosmërisë për ta shndërruar çdo dështim në sukses.”

Parimi i gjatë: Fuqia e paqes e tejkalon atë të dhunës.

Pasi Meka u çlirua, të gjithë kundërshtarët e Profetit a.s u sollën përpara tij. Ata ishin kriminelë lufte sipas çdo përkufizimi që mund t’i japim këtij termi. E megjithatë Profeti a.s nuk urdhëroi vrasjen e tyre. Ai thjesht tha: “Shkoni, jeni të lirë!” Rezultati i kësaj sjelljeje të butë ishte një mrekulli e vërtetë. Ata menjëherë pranuan Islamin.

Parimi i shtatë: Dikotomia nuk është mënyra e duhur për të menduar.

Në të famshmen betejë të Meutës, Khalid ibn Uelidi vendosi ta tërhiqte ushtrinë islame nga fushëbeteja pasi zbuloi se armiku ishte shumë më i madh në numër. Kur mbërritën në Medinë, disa nga muslimanët i pritën me thirrjet “dezertorë”, por Profeti a.s tha: “Ata janë luftëtarë”. Banorët e Medinës mendonin në mënyrë dikotomike, ose luftë ose zmbrapsje. Profeti a.s tha “jo”. Ka edhe një mundësi tjetër dhe ajo është të shmangësh luftën për t’i dhënë vetes kohë që të fuqizohesh. Historia na tregon se muslimanët, pas tre vitesh përgatitje, përparuan sërish drejt kufijve Romakë duke arritur një fitore të bindshme.

Parimi i tetë: Ta tërheqësh kundërshtarin në fushën tënde.

Ky parim rrjedh nga beteja e Hudejbijes. Në atë kohë, pabesimtarët ishin të vendosur të luftonin kundër muslimanëve sepse gjendeshin në pozita supreme. Por duke pranuar kushtet e tyre, Profeti a.s pranoi të nënshkruante një pakt. Ishte një marrveshje dhjetë vjeçare paqeje. Deri në atë kohë vendtakimi i vetëm mes muslimanëve dhe pabesimtarëve kishte qenë fushëbeteja. Tani beteja u zhvendos në fushën ideologjike. Brenda dy vitesh Islami rezultoi fitimtar falë superioriteti ideologjik.

Parimi i nëntë: Gradualizmi në vend të radikalizmit.

Ky parim gjendet i shprehur në një hadith të Buhariut. Në të Aishja r.a shprehet se ajetet e parë të Kur’anit i kushtoheshin parajsës dhe ferrit. Pas një kohe të gjatë, kur zemrat e njerëzve ishin zbutur, zbritën ajetet që ndalojnë shkeljen e kurorës martesore dhe konsumin e alkoolit. Kjo është dëshmi e qartë se Kur’ani mbron metodat evolucionare dhe jo revolucionare të ndryshimit të shoqërisë.

Parimi i dhjetë: Pragmatizmi në çështje të diskutueshme.

Gjatë hartimit të traktatit të Hudejbijes, Profeti a.s diktoi këto fjalë: “Kjo marrëveshje nënshkruhet nga Muhamedi, Profeti i Zotit.” Delegatët kurejshë shprehën pakënaqësi ndaj këtyre fjalëve. Profeti a.s menjëherë ndryshoi fjalët dhe urdhëroi të shkruhej thjesht “Muhamedi, i biri i Abdullahut”.

Artikulli paraprakPakistani tronditet me tërmet të fuqisë 6,6 ballë
Artikulli vijuesIran-India na detyrohet 6 miliardë dollarë