16 vjet nga masakra e Krushës së Vogël, vetëm gjysmës së viktimave u dihet varri

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 26 marsit e 1999-s, forcat paramilitare serbe vranë, masakruan dhe dogjën në fshatin Krushë e Vogël më shumë se 102 persona, kryesisht burra e të rinj nga mosha 12 deri në 90 vjeçare.

Për dy ditë Krusha e Vogël ka humbur 102 persona. Ditën e parë më 25 mars ka humbur nëntë persona, ndërsa ditën e dytë a humbur edhe 102 persona.

Brenda dy ditësh, 70 për qind e meshkujve të fshatit u vranë nga forcat serbe. Ata u vendosën në dy dhoma me duart lart në kokë. Nga dyert dhe dritaret u shtie në ta me automatikë. Shtëpia u dogj e shumë nga trupat u gjuajtën në lumë. Katërmbëdhjetë vjet që nga masakra e Krushës së Vogël, ndër më të mëdhatë në vend, 86 nga 113 të vrarët mbeten të zhdukur. EULEX-i thotë se ka identifikuar 56 të dyshuar.

Në fillimin e vitit 1999, Krusha e Vogël kishte popullsi të përzier. Dhjetë për qind ishin serbë, ndërsa pjesa tjetër ishin shqiptarë. Nuk flitej se ndërmjet fqinjësh kishte pasur ndonjë problem serioz…deri kur ndodhi ajo që pak kush mund ta besonte. Kur u ekzekutuan pothuajse shumica e meshkujve shqiptarë të fshatit, duke mos u kursyer as fëmijët e moshës trembëdhjetë vjeçe. Pasi i ekzekutuan, forcat serbe, të udhëhequra nga fqinjët serbë, për ta mbuluar krimin trupat e të vdekurve i dogjën. Trupat e eshtrat e mbetur dyshohet gjithashtu se i hodhën në lumin Drini i Bardhë, raporton KP.

I mbijetuari Qamil Shehu, të cilit në këtë masakër i ishin vrarë dy djemtë, tre vëllezërit dhe rreth dyzetë anëtarë të familjes, thotë se natën e 26 marsit 1999 banorët kishin dalë të shikonin në oborre sulmet e NATO-s.

“Kur është bërë ora katër e mëngjesit, tanket e ushtrisë serbe e rrethuan vendin dhe filluan të gjuajnë me armë nëpër oborre”, kujton ai.

“Atëherë, nga frika, burra e gra, jemi nis e kemi dalë në mal. “Dikur në mbrëmje erdhën atje e na morën”.

Forcat ushtarake e policore serbe i kishin ndarë burrat nga gratë dhe pastaj i kishin vrarë dhe masakruar. Shtëpisë me plot trupa burrash ia kishin vënë zjarrin dhe e objektin e kishin gropuar. Gratë dhe fëmijët i kishin dëbuar drejt Shqipërisë.

“Kur na ndanë nga gratë, me ne burrat kishte edhe fëmijë të moshës trembëdhjetë vjeçare. Na bënë rresht për tre, na detyruan t’i lidhim duart mbrapa kokës dhe na drejtuan për te shtëpia e familjes Batusha”, kujton Shehu./Koha

Artikulli paraprakPresidente: Like e ke nga Ambasada!
Artikulli vijuesHetimi i nisur në Prizren shtrihet në shumë shtete të BE-së