2013-ta, vit i rëndë!

Trendët negative s ai përket investimeve të huaj, eksporteve, rënies së dërgesave nga diaspora gjatë vitit 2012, kanë bërë që njohësit e çështjeve ekonomike të mendojnë se vitit 2013 do të jetë mjaft i vështirë për kosovarët.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë për Telegrafin se nëse nuk përmirësohen këto parametra ekonomik do të këtë shprehje të pakënaqësive sociale.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu gjatë një bisede për portalin Telegrafi, ka vlerësuar vitin 2012 si sfidues pasi indikatorët ekonomik kanë pësuar rënie shqetësuese.

“Vet fakti që kemi rënie të investimeve të huaja direkte, rënie të importeve, remitencave, e po ashtu edhe rënie të eksporteve, tregon se në çfarë situate të vështirë jemi. Tek tani kanë filluar të jenë evidente pasojat e krizës globale, që është thënë shumë herë se nuk do ta prekë Kosovën”.

Ai thotë se duhet të jemi më shumë aktiv që për ekonominë të punohet më shumë sesa të flitet. “Në qoftë se vazhdohet me trendë të tilla atëherë Kosova do të ballafaqohet me vështirësi në procesin e integrimit. Sepse është e pamundur të mendohet një integrim vetëm nga këndi politik nëse nuk ka integrim edhe në aspektin ekonomik”.

Gërxhaliu mendon se gjatë këtij vitit mund të përballemi me sfida sociale nëse nuk përmirësohet parametrat ekonomik. “Do të ballafaqohemi me sfidë sociale, në qoftë se nuk kemi përmirësim të eksporteve dhe bilancit tregtar. Përderisa paraja e kosovarëve nuk mbetet në Kosovë, por vetëm eksportohet, atëherë si do të krijohen vende të reja të punës”.
Sipas tij, vitin e kaluar ka pasur dialogim të mirë në mes institucioneve dhe OEK-ut për përmirësimin e gjendjes së bizneseve, por që duhet të ndërmerren hapa konkret. “Ne si përfaqësues të asociacioneve të bizneseve jemi lodhur vetëm me negociata dhe pa rezultate konkrete. Në ketë drejtim po arrihet një efekt negativ pasi po zhgënjehet komuniteti i biznesit, po ashtu po humb kredibiliteti i institucioneve të cilat e mbrojnë sektorin privat”, ka thënë ai.

Kryetari i Odës më të madhe të organizimit të biznesit në vend, thotë se problemi në Kosovë është se ka mungesa të projekteve konkrete. Po ashtu, ai vlerëson se duhet më shumë transparencë e profesionalizëm. “Të gjitha këto mundësi duhet të shfrytëzohet me një destinacion të caktuar, të implementohen projekte kyçe nga të cilat ka përfitime”.
Ai thotë se nuk duhet të shqetësohemi nga hyrja në borxhe e Qeverisë, por ato para, sipas tij duhet të investohen në projekte të cilat rrisin punësimin dhe ka përfitime.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu ka thënë gjatë kësaj bisede për Telegrafin se është shqetësuese mungesa e ofertimit nga kompanitë e mëdha në fushën e telekomunikimeve, kur dihet se sa profitabile është PTK-ja. “Në qoftë se në Kosovë për një kompani si PTK-ja bëhet një mjegull e tillë e cila është politizuar shumë procesi i privatizimit, e dëmton imazhin e Kosovës. Kjo ka ndikuar edhe në rënien e vlerës të saj. Vetë faktin që nuk i kemi kompanitë kyçe në garë, nuk është në pyetje procesi i shitjes, po kush janë ata të cilët pretendojnë të blejnë PTK-në”.

Gërxhaliu thotë se duhet të brengosmi për formën e shitjes së PTK-së. “Procesi i privatizimit kishte me qenë një shpëtim për një ndërmarrje të tillë e cila është politizuar, stërngarkuar me punësime. Koha është të përshpejtohet procesi i shitjes së PTK-së, edhe pse nuk do të jetë proces i lehtë”, tha ai.

Gërxhaliu thotë se Trepça është ndërmarrje e industrive të veçanta, e cila duhet të rivitalizohet pasi ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik. “Nuk i duhet sot Trepçës Kosova, por Kosovës do t’i duhet Trepça çdo herë në këtë drejtim ky gjigant e meriton një trajtim dhe angazhim të veçantë”, ka thënë ai.

Mbetja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pa bord në kohën kur disa kompani pretendojnë se Trepça u ka borxhe, sipas tij, është shqetësuese.

Kurse sa i përket privatizimit të kompleksit turistik Brezovica, ai ka thënë se ky kompleks është politizuar shumë dhe me këtë gjendje nuk mund të bëhen investime. ”Nëse nuk bashkëpunohet më shumë me komunat ku është Brezovica dhe nuk ka implikime politike të Beogradit dhe kompanive të ndryshme nga Serbia, ne mund të flasim për privatizim.
Në këtë formë kur ka pretendime të ndryshme për Brezovicën nga të gjitha palët, është e tepër të flitet për investime dhe privatizim të saj”.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu thotë se raportet Kosovë – Shqipëri në aspektin ekonomik nuk janë në nivelin e duhur, sipas tij, është koha që duhet të jemi më bashkëpunues në mes dy vendeve. /Telegrafi/ kohaislame

Artikulli paraprakNikolic: Serbia mund ta ndalojë njohjen e Kosovës në OKB
Artikulli vijuesVëshitrësitë e pacientëve në hemo-dializë