Pacolli kërkon njohjet nga shtetet latino-amerikane

Në kuadër të përgjegjësive shtetërore për sjelljen e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar në Paris një drekë pune me përfaqësues të lartë të disa shteteve të Amerikës Jugore: Perusë, Argjentinës, Bolivisë, Paraguait dhe Uruguait.
“Zëvendëskryeministri Pacolli njoftoi përfaqësuesit latino amerikanë me të arriturat e shtetit të Kosovës dhe proceset demokratike, veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008”, thuhet në një komunikatë ëpr media.

Sipas zëvendëskryeministrit Pacolli, vendimi pro njohjes së Kosovës edhe nga këto shtete të Amerikës së Jugut do të ishte në linjën e respektimit të Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës, Pacolli ka marrë premtimin se qeveritë respektive të këtyre vendeve do të shqyrtojnë seriozisht njohjen e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Pacolli ka udhëtar për në Baku të Azerbajxhanit ku do të pritet nga Presidenti i këtij shteti Ilham Aliyev. Ndërsa të mërkurën, sipas agjendës, zëvendëskryeministri do të udhëtojë për në Tiranë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e nivelit të lartë ndërqeveritar, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë konferencë që do të marrin pjese delegacione nga dhjetëra vende të botës, zëvendëskryeministri Pacolli do të zhvillojë disa takime të rëndësishme, në funksion të shtimit të njohjeve për shtetin e Kosovës. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakTë drejtat politike të grave
Artikulli vijuesJahjaga priti banorët e fshatit Karaçevë