5 gjërat që duhet të dini mbi konfliktin në Ukrainë

0
192

Kriza politike që ka përfshirë Ukrainën që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, po kthehet në një luftë civile, ku çdo ditë po vriten me dhjetëra protestues. Numrit të viktimave të qytetarëve i janë shtuar edhe viktimat e policëve, si dhe një gazetar. Vetëm dje u numëruan 35 viktima, dhe u plagosën 27 policë, ndërsa në spital numëroheshin 287 të lënduar. Ministria e Shëndetësisë raporton për 77 viktima në total, ndërsa mediat e huaja thonë se kjo shifër ka rritur në 100, ndërsa numri i të plagosurve mendohet të ketë kaluar mbi 500 persona.

Si nisi konflikti dhe pse kaloi në përgjakje të rrugëve të Kievit?

Ja 5 gjërat që duhet të dini mbi konfliktin në Ukrainë:

1-Marrëveshje apo jo?

Presidenti i Ukrainës deklaroi mëngjesin e sotëm se u arrit një marrëveshje ndërmjet liderëve të opozitës në vend dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Rusisë, marrëveshje e cila duket se do t’i japë fund konfliktit, cili solli dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur. Megjithatë zyrtarët evropianë bënë thirrje që të bëhej kujdes në lidhje me marrëveshjen, dhe qëndruan në Kiev derisa u siguruan që marrëveshja u firmos.

2-Sërish gjuajtje me armë

Mes përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për ti dhënë fund gjakderdhjes në rrugët e Kievit, burime të paidentifikuara thonë se protestuesit hapën sërish zjarr ndaj policisë, edhe gjatë ditës së sotme, kur po arrihej marrëveshja ndërmjet palëve. Agjencia e lajmeve “Reuters” citon një burim nga radhët e Policisë së Ukrainës, i cili thotë se ata iu kundërpërgjigjën armëve të protestuese në të njëjtën mënyrë.

Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës deklaron se numri i viktimave ka shkuar në 77 deri tani, ndërsa të plagosur kanë mbetur 577, që nga fillimi i protestës.

3-Zgjedhjet

Qeveria ukrainase ka deklaruar se pjesë e marrëveshjes së sotme janë edhe zgjedhjet e parakohshme presidenciale, të cilat do të mbahen shumë shpejt. Presidenti nuk dha datë të saktë se kur do të mbahen zgjedhjet, por zyrtari parlamentar Oleksandr Yefremov, duke folur për mediat ditën e sotme tha se brenda 48 orëve pas firmosjes së marrëveshjes, duhet të përgatitet një projektligj për të rregulluar kushtetutën e mëparshme. Më pas do të hartohet një procedurë e re për votimin e ndryshimit të kushtetutës, ndërsa votimi përfundimtar i kushtetutës së re është planifikuar të bëhet në shtator, dhe në qoftë se kjo ndodh, atëherë zgjedhjet presidenciale do të mbahen në dhjetor.

4-Shkurtohet norma e borxhit

Firma e kredive “Standart&Poor” shkurtoi normën e borxhit kombëtar të Ukrainës nga niveli CCC në nivelin CCC+, duke dhënë kështu një imazh negativ të shtetit nga pikëpamja e sigurisë ekonomike dhe vë në pikëpyetje aftësitë e qeverisë për të shlyer borxhin publik. “Ne besojmë se e ardhmja e drejtuesve të Ukrainës, tani është më e pasigurt se kurrë, që pas fillimit të protestave në nëntor të 2013-ës”, -shprehen përfaqësuesit e kompanisë.

5-Historia e konfliktit

Konflikti është një betejë e identitetit të Ukrainës, një komb me 46 milionë banorë, i cili e ka ndarë besnikërinë e tij mes Rusisë dhe Perëndimit. Disa rajone në Perëndim kanë dalë hapur kundër qeverisë së Ukrainës. Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja, integrim më afër Evropës, si dhe limitim të pushtetit të presidentit. Shumë qytetarë në lindje të vendit duan që presidenti të largohet, dhe kërkojnë marrëveshje të ngushtë me Rusinë. Në marrëveshjen e sotme, presidenti Yanukovych premtoi reformën kushtetuese dhe limitimin e fuqisë së presidentit.