6 femra dhe gruaja 60 vjeçare në mesin e të arrestuarve

(I Plotësuar) – Familjarë të të arrestuarëve në operacionin “Monstër” të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë kanë reaguar lidhur me arrestimet e të afërmeve të tyre.

Pjesa më e madhe e familjarëve të tubuar pranë gjykatës kanë shprehur revoltën e tyre.
Ndërkohë pritet që në çdo moment të nis procedura dëgjimore e grupit të të ndaluarëve, mes të cilëve bëhet e ditur për më shumë se 20 veta dhe në mesin e tyre edhe shtatë femra, mes tyre edhe gruaja 60 vjeçare nga fshati Hotël i Likovës. Mes të ndaluarëve thuhet për INA se është edhe një i moshuar 67 vjeçar nga Haraçina.arrestimet
Familjarët theksojnë për INA se duan drejtësi dhe lirimin e të ndaluarëve, por edhe theksojnë se nuk janë kundër nxjerrjes para drejtësisë të vrasësve të aktit mizor në Smilkovc.
Mersim Hasipi, familjari i vajzës 20 vjeçare me mbulesë që është paraqitur në fotografitë gjatë dorëzimit pranë gjykatës themelore Shkupi 1 thekson për agjencinë INA se është i tmerruar me aktin e arrestimit të motrës së tyre.
“Jemi të shokuar se si kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar motrën tonë. Ajo 100 për qind është e pafajshme dhe as që ka të bëjë me çmendurinat që u thanë nëpër media. Të akuzosh dikë për terrorizëm vetëm pse falet namaz, kjo është e pakuptimtë dhe nuk ndodhë askund. Por, po shofim se këto që po na ndodhin janë ofendim dhe nënçmim i madh për shqiptarët dhe sidomos familjen tonë”, thekson për INA, Mersim Hasipi, i cili thekson se nuk kanë dijeni se çfarë po ndodhë dhe nuk i lejohet qasje edhe avokatit të tyre mbrojtës.
Familja Bilalli gjithashtu thekson se është e shokuar nga arrestimi dhe dërgimi në gjykatë i nënës së tyre Feride Bilalli, 60 vjeçares nga Hotla e komunës së Likovës.
Djali i saj i cili sot ka mbërritur nga Gjermani thekson se nëna e tyre jetonte e vetme në shtëpi dhe nuk kishte asnjë djalë, ndërsa ai rrëfen se fotot e nxjerrura nga MPB përmes filmimeve nga bastisjet tregojnë se bëhet fjalë për një nga vëllezërit e tij që jeton në Belgjikë.
“Ne jemi të shokuar, s`dijmë çka të themi, dhe po presim lirimin e nënës tonë. I kemi parë ato video nga shtëpia jonë dhe fotot e vëllaut tim që ka qenë pjesëtarë i UÇK-së dhe nuk mohohet ajo gjë. Por lidhja me këtë rast dhe ndalimi i nënës tonë, është tmerrues për ne”, thekson djali i Feride Bilallit.
Familja Mersimi apelon që sa më shpejt të lirohet vajza e tyre dhe se të reagojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë për të parë se çfarë po ndodhë.
Familjarët si avokatë mbrojtës të këtij procesi kanë caktuar avokatët shqiptarë Naser Raufi dhe Petar Janura. Avokati Naser Raufi ka theksuar se pritet të fillojë nxjerrja para gjykatësit hetues të të ndaluarëve dhe mundësia për shqiptimin e masës së paraburgimit për disa nga të ndaluarit. Familjarët janë të habitur se si asnjë media nuk ka dalur para gjykatës dhe nuk ka qëndruar për të marrë prononcimet e tyre.

Grupi i 20 të arrestuarve sot para gjykatës

Grupi i 20 të arrestuarëve lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit sot ka dalur para gjykatësit hetues në Gjykatën Penale në Shkup. Pranë kësaj gjykate ka pasur forca të mëdha policore, ndërsa me radhë janë sjellur grupi i të ndaluarëve.

* * * * *

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë një aksioni policor të quajtur “Monstrum”, që e realizoi në orët e hershme të mëngjesit në disa Lagje të Shkupit, ka arrestuar mbi 20 të dyshuar lidhur me vrasjen e pesëfishtë, pranë liqenit të Hekuranës, në fshatin Smillkovc, në afërsi të Shkupit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në një konferencë për shtyp.

“Këto janë grupe radikale islame, janë persona të rrezikshëm dhe për ta do të ngrihen padi penale për terrorizëm“, ka deklaruar Jankullovska.

Ajo theksoi se në shumë lagje të Shkupit, të martën janë bastisur disa shtëpi, ku janë gjetur armë të kalibrave të ndryshëm, por hetimet do të dëshmojnë se ato armë janë përdorur ose jo gjate vrasjes së pesëfishtë në afërsi të fshatit Smillkovc.

“Në mesin e 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të ndërlidhur me vrasjen makabre në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smillkovc. Por, ka dhe të tillë për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete se a janë të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë vrasje. Ata po merren në pyetje për momentin, dhe pasi të realizohen hetimet, do të dalim me të dhëna tjera“, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

“Bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë, nga Shkupi, të cilët janë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, të cilët paraqesin kërcënim si për të krishterët, ashtu dhe për myslimanët. Këta grupe, si motiv kanë pasur ndjelljen e frikës dhe pasigurisë në mesi e qytetarëve”, tha ajo.

Ndryshe, më 13 prill, në bregun e liqenit të Hekuranës, afër Smillkovcit, u vranë Kire Triçkovski, Aleksandar Naqeski, Filip Sllavkovski dhe Cvetanço Acevski, të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borçe Stefanovski (45) nga fshati Creshevë.

Pesë personat, sipas informatave të deritanishme të policisë, janë vrarë me armë automatike në afërsi të drejtpërdrejtë.

Një ditë më vonë, 10 kilometra nga vendi i masakrës, është gjetur automobili “opel omega”, për të cilin më vonë është konfirmuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorë nga vrasësit.

Artikulli paraprakSËMUNDJET QË LUFTOHEN ME RRUSH TË THATË!
Artikulli vijuesBreza nën rrethimin e policisë