Shqipëri: Maskat rikthehen në rrugë

Mëngjesi i sotëm u ka sjellë ndër mend banorëve të Matit tmerret e vitit të mbrapshtë 1997-s, kur grabitësit nën kërcënimin e armës bënin terror në akset rrugore.
Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:00, persona ende të paidentifikuar i kanë dalë përpara një furgoni pasagjerësh në aksin rrugor Burrel-Milot, në afërsi të fshatit Bushkash, duke i kërkuar që të ndalonte.

Mësohet se drejtuesi i mjetit, i cili udhëtonte i vetëm, nuk është ndalur dhe për pasojë personat e maskuar kanë qëlluar me armë në drejtim të furgonit me targa “MT 3389 A”, shkruan “BalkanWeb”.

Fatmirësisht shoferi nuk është lënduar dhe ka arritur të largohet me shpejtësi, ndërkohë që policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një tentative grabitjeje, ndërsa po hetohet edhe në pista të tjera.

Kjo nuk është hera e parë që maskat u zënë “pritë” makinave në afërsi të fshatit Bushkash dhe nën kërcënimin e armëve u grabisin drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve varëset, celularët dhe paratë që kanë me vete. /

Artikulli paraprakAustralia po vuan nga vërshimi i kandilave helmues të detit
Artikulli vijuesGjendja e muslimanëve në Birmani (Burma/Mianmar)