Policia në Bruksel është detyruar të përdorë topa të ujit kundër protestuesve që kanë pushtuar rrugët e kryeqendrës evropiane, të cilët kundërshtojnë masat shtrënguese të prezentuara së fundmi nga qeveria.
Fotografi të ndryshme janë postuar në rrjetin social Twitter, ku shihen protestues duke djegur mbeturina dhe duke sulmuar me gurë policinë që shpërndante me topa uji protestuesit e shumtë, transmeton Indeksonline.
Protesta është organizuar nga tri unionet më të mëdha në vend, të cilat mbajtën fjalime kundër masave shtrënguese dhe e akuzuan kryeministrin belg, Charles Michel për promovimin e kompanive të mëdha në shkëmbim të shfrytëzimit të forcës punëtore.
Sipas informatave të para të policisë belge, 81,000 protestues kanë dalë në rrugë për të marrë pjesë në protestë, ndërsa organizatorët e protestës kanë thënë se pjesëmarrja ka qenë edhe më e lartë, deri në 100,000, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.
Sipas raportimeve, protesta ka filluar e qetë, mirëpo nga fundi i protestës situata ka përshkallëzuar në dhunë.a